ASK zbulon rrjet iranian në Maqedoninë e Veriut, dyshohet se përgatitte atentat në Greqi
Agjencia për Siguri Kombëtare (ASK) ka zbuluar një rrjet personash në Maqedoninë e Veriut, të lidhur me faktorë iranianë, të cilët dyshohet se kanë ndërmarrë aktivitete përgatitore logjistike për realizimin e një sulmi terrorist apo atentati ndaj një personi në Greqi, njofton ASK përmes një emaili të ariturr në redaksinë e Gazetës Flaka. Sipas njoftimit të ASK-së, operacioni është zhvilluar që nga fillimi i vitit 2026, në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Inteligjencës së Greqisë dhe shërbime të tjera partnere, si dhe në koordinim me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Byronë për Siguri Publike.
“Që nga fillimi i vitit 2026, Agjencia, në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Inteligjencës së Greqisë dhe shërbime të tjera partnere, si dhe në koordinim me MPB-BPB në nivel kombëtar, ka ndërmarrë aktivitete për zbulimin e qëllimeve dhe planeve të personave të lidhur me faktorë të huaj, përkatësisht iranianë, për kryerjen e akteve terroriste”, thuhet në njoftimin e ASK-së.
Në kuadër të këtyre aktiviteteve, Agjencia thotë se ka zbuluar një rrjet nga Maqedonia e Veriut, të lidhur me shtetasin iranian Edris Jahangiri Mavaneh, i cili, sipas informacioneve të siguruara, ka lidhje me aktorë të tjerë të rrjeteve të ndërmjetme të shërbimeve iraniane të sigurisë dhe inteligjencës, përfshirë edhe bosin e narkotikëve Naji Sharifi Zindashti.
Sa u përket personave nga Maqedonia e Veriut, ASK thekson se bëhet fjalë për individë të përfshirë në struktura kriminale, të cilët, sipas udhëzimeve të drejtpërdrejta të shtetasit iranian, kanë ndërmarrë aktivitete përgatitore logjistike për realizimin e një akti terrorist apo atentati ndaj një personi në Greqi.
“Bëhet fjalë për persona të konsoliduar në struktura kriminale në vend, të cilët, sipas udhëzimeve të drejtpërdrejta të shtetasit iranian, kanë ndërmarrë aktivitete përgatitore logjistike për kryerjen e një akti terrorist/atentati ndaj një personi në Greqi”, thuhet në komunikatë.
Agjencia bën të ditur se, përmes bashkëpunimit dhe shkëmbimit të informacioneve me shërbimet partnere të huaja, është zbuluar mënyra e funksionimit të këtij rrjeti, përfshirë organizimin e takimeve konspirative në territorin e vendeve të treta, ndër të cilat edhe Irani.
Sipas ASK-së, këto aktivitete kanë konfirmuar lidhjet e personave nga vendi me shtetasin iranian, të cilin e cilëson si organizatorin kryesor të aksionit të planifikuar terrorist.
ASK vlerëson se këto lidhje ndërlidhen me përpjekjet e shërbimeve iraniane të inteligjencës për të vepruar përmes rrjeteve kriminale në vende të treta.
“Fakti që gjatë periudhës së kaluar disa vende janë përballur me kërcënime dhe sulme terroriste nga aktorë të ndërmjetëm iranianë, lidhet me përpjekjet e shërbimeve iraniane të inteligjencës për të fshehur veprimtarinë e tyre përmes rrjeteve kriminale në vende të treta, përfshirë edhe Maqedoninë”, thuhet në njoftimin e Agjencisë.
Në fund, ASK thekson se do të vazhdojë aktivitetet për identifikimin dhe parandalimin e kërcënimeve të mundshme terroriste, si dhe për zbulimin e personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë në rrjete të lidhura me Iranin.
“Agjencia, në kuadër të kompetencave të saj, mbetet e përkushtuar në ruajtjen e sigurisë kombëtare dhe do të vazhdojë aktivitetet për zbulimin dhe parandalimin e kërcënimeve të mundshme terroriste përmes elementeve ndërmjetëse nga Irani”, përfundon komunikata.














