Lista e pagave të BDI-së tronditet nga demantimet: Dy zyrtarë paralajmërojnë padi penale ndaj portaleve proqeveritare
Dy nga personat e apostrofuar në listën që pretendon se BDI-ja ndan 1.28 milionë denarë në muaj për tetë persona kanë demantuar vërtetësinë e informacionit të publikuar në disa media të afërta me koalicionin qeveritar VLEN.
Në komunikim me redaksinë e Flakës, dy zyrtarët e BDI-së kanë mohuar pretendimet e paraqitura në dokumentin që është shpërndarë në disa portale, duke vënë në pikëpyetje autenticitetin dhe vërtetësinë e të dhënave të publikuara.
Madje, të apostrofuarit kanë paralajmëruar edhe ndërmarrjen e hapave ligjorë, përfshirë padi penale ndaj portaleve që kanë shpërndarë informacionin, të cilin ata e konsiderojnë të pavërtetë.
”Në lidhje me shpifjen dhe gënjeshtrën e publikuar në formë të lajmit nga disa të a.q. portale: Unë, Arta Bilalli Zendeli, Nënkryetare dhe Zëdhënëse e Bashkimit Demokratik për Integrim, në asnjë moment, nuk kam marrë pagë ose honorar tjetër nga partia. Të gjitha portalet që sot e kanë publikuar emrin tim, së shpejti do ta pranojnë padinë për shpifje dhe procesi më tej do të vazhdon në gjykatë, sipas procedurës përkatëse! Misioni, ideali dhe sakrifica nuk shpaguhen me para! Ata që më njohin mua, e dinë mirë se në çfarë baza funksionoj”, demton Arta Bilalli Zendeli.
”As 200 denarë nuk marrë nga partia për angazhmin tim vullnet’s, e lërë më shumën e pretenduar”, tha një nga të përmendurit në listë për Flaka.
”Une nuk marrë pagë prej partisë”, tha tjetri.
Emrat e dy zyrtarëve që kanë demantuar informacionin janë të njohur për redaksinë e Flakës, ndërsa për momentin nuk bëhen publikë.
Rikujtojmë se grafika në fjalë paraqet tetë emra dhe shuma të pretenduara mujore që arrijnë në 1.280.000 denarë, apo mbi 15.3 milionë denarë në vit, duke ia atribuar këto pagesa BDI-së.
Deri më tani, nuk është publikuar dokumentacion financiar i verifikueshëm që dëshmon se këto pagesa kryhen nga BDI-ja.
Demantimet e dy personave të apostrofuar dhe paralajmërimi për padi penale e vendosin në pikëpyetje besueshmërinë e dokumentit që është shpërndarë në hapësirën mediatike.
Flaka do të përcjellë zhvillimet e mëtejshme dhe qëndrimet e palëve lidhur me këtë çështje. Flaka














