Izet Mexhiti takon Halil Kastratin, diskutohet ndërtimi i shkollës për fëmijët me nevoja të veçanta në Çair
Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, ka zhvilluar një vizitë në Kosovë, ku është takuar me humanistin Halil Kastrati, drejtues i Shoqatës “Jetimat e Ballkanit”. Në fokus të takimit ka qenë mundësia e bashkëpunimit për ndërtimin e një shkolle për fëmijët me nevoja të veçanta në Çair.
Mexhiti ka bërë të ditur se gjatë vizitës në shtëpinë e të moshuarve është njohur nga afër me aktivitetet dhe punën humanitare të shoqatës, ndërsa me Kastratin ka diskutuar për realizimin e projektit të shkollës “Idnina – E ardhmja”.
Sipas Mexhitit, projekti parasheh ndërtimin e një objekti me sipërfaqe rreth 2.000 metra katrorë, me kapacitet për 200 fëmijë dhe investim të parashikuar prej rreth 2 milionë eurosh.
“Një shkollë që do të ofrojë hapësira të përshtatshme për mësim, terapi dhe zhvillim, sipas nevojave të fëmijëve”, ka shkruar Mexhiti.
Ai ka theksuar se gjatë takimit është diskutuar mundësia e bashkimit të përvojës së Shoqatës “Jetimat e Ballkanit” me angazhimin e Komunës së Çairit për ta çuar përpara këtë projekt.
“Familjet që e presin këtë shkollë kanë nevojë për mbështetje konkrete, ndërsa fëmijët për kushte ku mund të mësojnë, të zhvillohen dhe t’i shprehin aftësitë e tyre. Për këtë duam të punojmë bashkë”, ka deklaruar Mexhiti.
Projekti synon të krijojë kushte më të përshtatshme arsimore dhe terapeutike për fëmijët me nevoja të veçanta dhe të ofrojë mbështetje për familjet e tyre.














