BDI-Kërçovë kritikon NP “Makedonijapat”: Sinjalizimi vetëm në maqedonisht – Vazal hesapi!
BDI, dega në Kërçovë, ka reaguar ndaj vendosjes së tabelave të reja të sinjalizimit në rrugën rajonale R1305, në relacionin Demir Hisar–Slladuevë, duke pretenduar se mbishkrimet janë vetëm në gjuhën maqedonase, ndërsa mungon gjuha shqipe.
Në reagimin e saj, BDI-Kërçovë drejton kritika ndaj VLEN-it dhe drejtuesve shqiptarë në institucionet publike, duke vënë në pikëpyetje angazhimin e tyre për zbatimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve.
“Ky është shembulli më i fundit nga NP ‘Makedonijapat’, ndërmarrje publike që drejtohet nga Nuredin Fetai, kuadër shqiptar i VLEN-it”, thuhet në reagimin e BDI-së.
Sipas kësaj partie, më 10 nëntor 2026, ndërmarrja ka publikuar fotografi nga vendosja e tabelave të reja të sinjalizimit në këtë rrugë, ku, siç pretendohet, “mbishkrimet janë vetëm në maqedonisht, ndërsa shqipja mungon plotësisht”.
BDI-Kërçovë vlerëson se ky rast dëshmon mospërkushtimin e VLEN-it për mbrojtjen e të drejtave gjuhësore, edhe në institucionet që drejtohen nga kuadro të kësaj partie.
“Edhe aty ku drejtimin e kanë në duart e tyre, nuk kanë guxim për të mbrojtur të drejtat që i kanë të garantuara me ligj”, thuhet në reagim.
Në pjesën përmbyllëse, BDI-Kërçovë përdor gjuhë të ashpër politike ndaj përfaqësuesve të VLEN-it, duke i cilësuar si “vazalë” dhe duke pretenduar se ata, edhe kur kanë mundësi të vendosin vetë, veprojnë sipas asaj që, sipas BDI-së, u pëlqen partnerëve të tyre politikë.
Deri në publikimin e këtij lajmi, në reagimin e përcjellë nuk përfshihet një përgjigje nga NP “Makedonijapat” apo drejtori Nuredin Fetai lidhur me mungesën e mbishkrimeve në gjuhën shqipe. Gazeta Flaka














