Akuzat për dhunë policore në Ohër: Një 15-vjeçar dyshohet se u rrah dhe u kërcënua
Partia Levica ka ngritur akuza serioze për dhunë policore në Ohër, duke bërë publike dëshminë e një nëne vetushqyese, e cila pretendon se djali i saj 15-vjeçar është rrahur brutalisht nga pjesëtarë të policisë para katër muajsh.
Sipas reagimit të Levicës, incidenti ka ndodhur derisa i mituri po kthehej nga puna me motoçikletë. Policia dyshohet se e ka goditur me automjetin zyrtar, ndërsa më pas e ka sulmuar fizikisht me grushte, shqelma dhe shkopinj gome, duke e goditur edhe në kokë dhe trup.
„Fëmija në disa raste ka humbur vetëdijen, ndërsa pasi policët kanë kuptuar se është vetëm 15 vjeç, e kanë kërcënuar që të mos e denoncojë rastin, duke e paralajmëruar se herën tjetër do të kalojë edhe më keq“, thuhet në njoftimin e Levicës.
Sipas partisë, rasti është denoncuar në Prokurorinë Themelore Publike në Ohër, ku i mituri ka dhënë deklaratë para prokurorit publik Stojançe Arnaudoski. Denoncimi është dorëzuar edhe në Kontrollin e Brendshëm të Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Megjithatë, Levica pretendon se edhe pas katër muajsh, nëna nuk ka marrë asnjë përgjigje për ecurinë e procedurës, pavarësisht kërkesave të saj për informacione. Sipas partisë, shqetësues është edhe fakti se policët ndaj të cilëve është paraqitur denoncimi vazhdojnë të jenë në vendet e tyre të punës.
Në reagim kritikohet edhe veprimi i prokurorit publik Stojançe Arnaudoski, për të cilin Levica thotë se edhe në rastin e fundit të vajzës së rrahur në Ohër fillimisht kishte refuzuar të kërkonte masën e paraburgimit për të dyshuarin Koraboski.
Partia e cilëson këtë rast si pjesë të një serie skandalesh që lidhen me Sektorin për Punë të Brendshme në Ohër, veçanërisht pas publikimit të rastit ku pjesëtarë të policisë dyshohet se kishin rrahur një të mitur në një diskotekë.
Për këtë arsye, Levica kërkon nga ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, të sqarojë:
- Pse Kontrolli i Brendshëm nuk ka ndërmarrë veprimet e duhura dhe nuk i ka kthyer përgjigje nënës së të miturit për katër muaj?
- Pse policët ndaj të cilëve është paraqitur denoncimi vazhdojnë të kryejnë detyrat e tyre zyrtare?
- A është hapur procedurë disiplinore dhe a janë verifikuar pretendimet për rrahje brutale dhe kërcënime ndaj një të mituri?
Deri më tani, pretendimet e paraqitura në reagimin e Levicës mbeten akuza të kësaj partie dhe dëshmi e raportuar e nënës së të miturit.
Flaka Media














