Rasti i Besar Sejdiut në Bllacë, vetëm ASH-ja reagon në mbështetje të studentëve shqiptarë
Aleanca për Shqiptarët (ASH) është i vetmi subjekt politik shqiptar që deri më tani ka reaguar publikisht në mbështetje të studentëve, lidhur me rastin e raportuar të ndalimit të përfaqësuesit studentor Besar Sejdiu në pikën kufitare të Bllacës.
ASH-ja ka shprehur shqetësim për ndalimin e Sejdiut dhe pretendimet se ai është vendosur në një listë për kontrolle të veçanta, pa marrë ndonjë shpjegim të qartë nga institucionet.
„Është e papranueshme që një përfaqësues studentor, i cili angazhohet për të drejtat e studentëve shqiptarë, të përballet me trajtime të tilla pa transparencë institucionale. Ky rast ngre dyshime serioze për presion ndaj zërit kritik studentor“, thuhet në reagimin e Aleancës për Shqiptarët.
Nga kjo parti kërkojnë që Ministria e Punëve të Brendshme të japë sqarime të menjëhershme se kush e ka urdhëruar kontrollin, mbi çfarë baze ligjore është ndërmarrë dhe nëse ekziston ndonjë lidhje mes këtij veprimi dhe angazhimit publik të Sejdiut.
„Studentët nuk janë armiq të shtetit dhe institucionet nuk guxojnë të përdoren për t’i frikësuar ata!“, theksohet në reagim.
Aleanca për Shqiptarët ka shprehur mbështetje për studentët dhe kërkesat e tyre, duke kërkuar që çdo përpjekje e mundshme për të heshtur zërin e tyre të marrë përgjigje institucionale dhe politike.
Ndërkohë, bie në sy mungesa e reagimeve publike nga subjektet e tjera politike shqiptare, të cilat deri në publikimin e këtij reagimi nuk kanë dalë me qëndrim lidhur me rastin e Besar Sejdiut dhe shqetësimet e studentëve.
Flaka Media














