YouTuberi bullgar publikon mesazhe dhe biseda telefonike: Pretendon se Iva Mihailova e kishte lutur ta fshinte videon
YouTuber-i bullgar Stanislav Canov ka publikuar një video të re, në të cilën paraqet mesazhe dhe pjesë nga biseda telefonike me Iva Mihailova dhe nënën e saj, Hristina. Ai pretendon se ato janë përpjekur ta bindin që të tërhiqte videon e mëparshme, ku fliste për presione të pretenduara nga Agjencia Shtetërore e Sigurisë Kombëtare e Bullgarisë (DANS).
Sipas Canovit, Mihailova i kishte shkruar vetëm pak minuta pas publikimit të videos së parë, duke shprehur frikë për sigurinë e saj dhe të prindërve.
“Më telefono menjëherë. Përgjigju, sepse të gjithë do të vdesim që sonte”, është një nga mesazhet që Canov paraqet në videon e re.
YouTuber-i pretendon se Mihailova i kishte kërkuar ta hiqte incizimin, nga frika e pasojave për shkak të deklaratave që kishte bërë më herët. Sipas tij, mesazhet më pas ishin fshirë, por ai kishte arritur ta regjistronte paraprakisht korrespondencën.
Në videon e publikuar paraqitet edhe një pjesë e një bisede telefonike me një grua, për të cilën Canov pretendon se është nëna e Mihailovës. Gjatë bisedës, ajo kërkon që të mos përmenden shërbimet e sigurisë, duke thënë se ky është kushti i saj i vetëm dhe se, në të kundërtën, mund të likuidohet.
Canov thotë se disponon incizimet e plota audio të bisedave, të cilat, sipas tij, zgjasin më shumë se dy orë, dhe shprehet i gatshëm t’i dorëzojë ato për verifikim.
Më herët, Canov kishte publikuar një incizim të një bisede me Mihailovën, në të cilën ajo fliste për presione të pretenduara nga DANS, të lidhura me paraqitjet e saj në media dhe kushtet për sigurimin e ndihmës për trajtim mjekësor dhe mbështetje juridike.
Sipas pretendimeve të saj të atëhershme, asaj i ishte kërkuar që fillimisht të jepte një intervistë te gazetari Martin Karbovski, ndërsa nëse do të paraqitej paraprakisht në ndonjë media tjetër, mund të humbiste mbështetjen për rehabilitim dhe avokatë. Më pas, Mihailova u paraqit në emisionin e Karbovskit.
Megjithatë, më 15 nëntor, ajo përmes një postimi në rrjetet sociale deklaroi se askush në Bullgari nuk e kishte detyruar të bënte diçka kundër vullnetit të saj.
“Këtu kam marrë ndihmë, kujdes dhe mbështetje”, shkroi Mihailova, duke i bërë thirrje publikut që ta lërë të qetë, në mënyrë që të përqendrohet te trajtimi.
Ndërkohë, DANS-i bullgar i hodhi poshtë akuzat, duke deklaruar se zyrtarët e saj nuk kanë ushtruar presion ndaj Mihailovës. Agjencia theksoi gjithashtu se origjina e incizimeve të publikuara nuk është konfirmuar dhe se pretendimet e paraqitura nuk janë dëshmuar.
Edhe gazetari Martin Karbovski i mohoi pretendimet se është agjent i DANS-it.
Flaka Media














