Trump, Putin dhe Xi takohen në Shenzhen, në prag të samitit trepalësh
Presidenti amerikan Donald Trump, presidenti rus Vladimir Putin dhe presidenti kinez Xi Jinping janë takuar në qytetin kinez Shenzhen, ku po mbahet samiti i Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor (APEC).
Tre liderët janë përshëndetur me shtrëngim duarsh dhe kanë zhvilluar një bisedë të shkurtër para darkës solemne të organizuar nga presidenti kinez.
Trump dhe Putin mbërritën në Qendrën Ndërkombëtare të Komunikimit në Shenzhen, ku u përshëndetën, përpara se t’u bashkoheshin liderëve të tjerë për fotografinë e përbashkët, transmeton “Sky News”.
Takimi zhvillohet në prag të takimit të paralajmëruar trepalësh mes Trumpit, Putinit dhe Xi Jinpingut, i cili pritet të mbahet nesër, më 19 nëntor, në margjinat e samitit të APEC-ut.
Pritet që në këtë takim të diskutohen çështje të sigurisë ndërkombëtare, luftërat në Ukrainë dhe Iran, marrëdhëniet tregtare, si dhe armatimi bërthamor.
Kremlini kishte njoftuar më herët se Trump dhe Putin mund të takohen disa herë gjatë samitit, përfshirë edhe në bisedime në format më të ngushtë, pa praninë e delegacioneve të mëdha.
Trump mbërriti në Shenzhen më herët gjatë ditës, ku u prit personalisht në aeroport nga Xi Jinping, në një veprim që dallon nga protokolli i zakonshëm diplomatik. Presidenti kinez shprehu shpresën për bisedime konstruktive dhe për marrëdhënie më të qëndrueshme mes Kinës dhe SHBA-së.
Ndërkohë, Putin zhvilloi më herët një takim mbi dyorësh me Xi Jinpingun, gjatë të cilit të dy presidentët theksuan rëndësinë e bashkëpunimit mes Rusisë dhe Kinës.














