Skandal në Klinikën e Gjinekologjisë në Shkup: Të porsalindurës dyditëshe i pritet një pjesë e gishtit me gërshërë
Një foshnjë vetëm dyditëshe ka pësuar lëndim në gishtin e madh në Klinikën Universitare të Gjinekologjisë dhe Obstetrikës (GAK) në Shkup, pasi gjatë përpjekjes për t’ia hequr kanilën e infuzionit, një punonjës shëndetësor i ka prerë një pjesë të gishtit me gërshërë.
Ngjarja ka ndodhur më 16 nëntor, pak para se foshnja të lëshohej nga spitali për të vazhduar trajtimin në shtëpi. Sipas informacioneve të publikuara, gjatë prerjes së fashës dhe shiritit ngjitës me të cilët ishte fiksuar kanila, është dëmtuar edhe gishti i foshnjës.
Babai i vajzës, Adnan Azizi, në një deklaratë për televizionin Kanal 5, ka bërë të ditur se mjekët i kanë informuar se gishti do të mbetet rreth një centimetër më i shkurtër. Ai paralajmëroi se, pas kompletimit të dokumentacionit mjekësor, do të ngrejë padi për rastin.
Menjëherë pas lëndimit është thirrur një kirurg pediatrik, ndërsa foshnja është transferuar me urgjencë në Klinikën e Kirurgjisë së Fëmijëve.
Drejtori i kësaj klinike, dr. Lazo Jovçevski, konfirmoi për Televizionin Publik të Maqedonisë (MRT) se foshnjës i është kryer ndërhyrje kirurgjikale me plastikë lokale për kompensimin e indit të butë.
Sipas tij, gishti do ta ruajë funksionalitetin, megjithëse do të mbetet një dëmtim i caktuar estetik. Foshnja tashmë është lëshuar për trajtim në shtëpi.
Rastin e kanë konfirmuar edhe nga Klinika e Gjinekologjisë dhe Obstetrikës, duke bërë të ditur se ngjarja është evidentuar zyrtarisht si incident i padëshiruar.
Nga klinika njoftojnë se Komisioni i Brendshëm për Cilësi e ka shqyrtuar tashmë rastin, ndërsa është caktuar edhe mbledhja e Komisionit Disiplinor, i cili duhet të përcaktojë plotësisht rrethanat e ngjarjes dhe përgjegjësinë individuale.
Pas përfundimit të procedurës, ndaj përgjegjësve do të ndërmerren masat përkatëse.
Flaka Media














