Me 2,12 promilë alkool, 65-vjeçari shkakton dy aksidente dhe largohet nga vendi i ngjarjes
Një 65-vjeçar nga Vinica është arrestuar pasi, në gjendje të dehur, ka shkaktuar dy aksidente trafiku dhe në të dyja rastet është larguar nga vendi i ngjarjes.
Sipas njoftimit të policisë, ngjarja ka ndodhur më 21 nëntor, ndërsa S.A. është privuar nga liria në orën 22:55 nga nëpunësit policorë të NJPB Vinicë.
Fillimisht, duke drejtuar një automjet të tipit „Ford“ me targa të Shtipit, në fshatin Jakimovë, në rrethinën e Vinicës, ai është përplasur me një automjet tjetër „Ford“, gjithashtu me targa të Shtipit, i cili ishte i parkuar dhe në pronësi të një banori të Vinicës. Pas aksidentit, drejtuesi është larguar nga vendi i ngjarjes.
Por incidentet nuk kanë përfunduar me kaq. Gjatë vazhdimit të lëvizjes, 65-vjeçari është përplasur edhe me sinjalistikën rrugore dhe një mur betoni, për t’u larguar sërish pa raportuar ngjarjen.
Pas ndërmarrjes së masave policore për gjetjen e tij, është konstatuar se ai kishte drejtuar automjetin nën ndikimin e rëndë të alkoolit. Matja ka treguar 2,12 promilë alkool në organizmin e tij.
Për rastin është njoftuar prokurori publik, ndërsa pas dokumentimit të plotë të ngjarjes do të vijojë kallëzim përkatës.
Flaka















