S’ka më shihemi në gjyq – ASH: Gjykata e Apelit konfirmon Arben Taravarin
Aleanca për Shqiptarët (ASH), krahu i Arben Taravarit, ka njoftuar se Gjykata e Apelit në Gostivar ka konfirmuar vendimin e Gjykatës Themelore të Tetovës, duke i dhënë fund procedurës gjyqësore disavjeçare lidhur me përfaqësimin dhe udhëheqjen e subjektit politik.
Sipas njoftimit të ASH-së, aktvendimi i Gjykatës së Apelit, i datës 13 nëntor 2026, konfirmon legjitimitetin juridik të Dr. Arben Taravarit si kryetar i Aleancës për Shqiptarët, si dhe ndryshimet statutare të miratuara në Kongresin e IV-të të Jashtëzakonshëm të partisë.
Nga kjo parti vlerësojnë se vendimi shënon përmbylljen e një procesi të gjatë gjyqësor dhe hap një kapitull të ri për organizimin dhe konsolidimin e mëtejshëm të subjektit politik.
„Përmbyllja e këtij procesi shënon një kapitull të ri për Aleancën për Shqiptarët, me fokus në organizimin, konsolidimin dhe veprimtarinë e saj politike“, thuhet në reagimin e partisë.
ASH-ja thekson se subjekti politik u takon anëtarëve dhe aktivistëve që, sipas saj, e kanë ndërtuar ndër vite përmes punës dhe përkushtimit.
Në fund të reagimit, partia e drejton një mesazh të qartë lidhur me përfundimin e betejës gjyqësore, duke përdorur edhe një formulim me tone politike:
„S’ka më shihemi në Gjyq – ASH-ja mbetet e Arben Taravarit“.















