Ferat Beqiri shpërthen ndaj VLEN-it: Familja Beqiri nuk është më në anën tuaj, as vëllai im Daut Beqiri
Ferat Beqiri, vëllai i kryetarit të Komunës, Daut Beqiri, ka publikuar një reagim të ashpër ndaj VLEN-it, duke shprehur pakënaqësinë e tij me trajtimin e aktivistit Jetmir Beqiri. Ai paralajmëron largimin e familjes Beqiri nga mbështetja për këtë subjekt politik.
Në reagimin e tij publik, Ferat Beqiri ka përdorur gjuhë të ashpër ndaj përfaqësuesve të VLEN-it, duke i akuzuar se po veprojnë kundër interesave shqiptare dhe në funksion të interesave të tyre personale.
“Dua të bëj me dije se familja Beqiri nuk është më në anën tuaj, po ashtu edhe vëllai im, Daut Beqiri”, ka shkruar Ferat Beqiri.
Arsyeja e këtij qëndrimi, sipas tij, lidhet me rastin e Jetmir Beqirit, për të cilin pretendon se ka qenë një nga aktivistët më të përkushtuar të VLEN-it gjatë zgjedhjeve komunale dhe se ka kontribuar në fitoren e këtij subjekti.
Beqiri shprehet i revoltuar për atë që e cilëson si mungesë mbështetjeje ndaj aktivistit, duke përmendur edhe një dënim prej 12 muajsh burgim.
“Ju kemi thënë disa herë të intervenoni dhe të gjeni një mënyrë ligjore për t’ia falur, por ju jo vetëm që nuk e bëtë këtë, por për ta arritur kulmin, këto ditë e dëbuat Jetmirin dhe i vutë shirit dhomës së tij, vetëm se e ka rregulluar vetë pak më modest”, thuhet në reagimin e tij.
Ai e ka cilësuar këtë veprim si mosmirënjohje ndaj aktivistëve që, sipas tij, kanë kontribuar në suksesin zgjedhor të VLEN-it.
Në pjesën përmbyllëse të reagimit, Ferat Beqiri paralajmëron se kjo pakënaqësi mund të ketë pasoja edhe në zgjedhjet e ardhshme.
“Ju mosmirënjohës e vazalë të Vredit, doni me inat. E me inat me familjen Beqiri s’keni çfarë të merreni, siç thonë pleqtë. Të shohim se si do t’ju dalë matematika në zgjedhjet e ardhshme”, ka shkruar ai.
Në reagimin e tij, Beqiri ka shprehur gjithashtu pakënaqësi për përfaqësimin shqiptar në Qeveri, duke e krahasuar situatën aktuale me periudhën para vitit 2001 në Maqedoni.
Deri më tani, në reagimin e publikuar nuk përfshihet ndonjë përgjigje nga përfaqësuesit e VLEN-it lidhur me akuzat e ngritura nga Ferat Beqiri.
Flaka















