“Heqja e vizave mes Kosovës e Izraelit, dëshmi e rritjes së lidhjeve mes dy vendeve”
Me rastin e Ditës së Pavarësisë së Izraelit, u theksua se nënshkrimi i marrëveshjes për heqjen e vizave me Kosovën shënon një moment të rëndësishëm historik, duke simbolizuar lidhjen në rritje midis dy shteteve.
Ambasadorja e Izraelit në Prishtinë, Tamar Ziv, tha se kjo marrëveshje jo vetëm që lehtëson udhëtimin dhe forcon lidhjet personale dhe të biznesit, por gjithashtu pasqyron përkushtimin e përbashkët për të nxitur lidhjet dhe bashkëpunimin më të ngushtë.
Përvec kësaj, Ziv potencoi se marrëveshja për heqjen e vizave do të hapë dyert për bashkëpunim në fusha të ndryshme, duke përfshirë teknologjinë, arsimin, kulturën dhe turizmin.
Po ashtu, Ministri i Brendshëm i Izraelit, Moshe Arbel tha se marrëdhëniet ndërmjet Izraelit dhe Kosovës janë zhvilluar në mënyrë mbresëlënëse në tre vjetët e fundit të cilat përfshijnë zhvillimin e bashkëpunimit në fushat e inovacionit, shëndetësisë, ekonomisë, kulturës, arsimit dhe fushave të tjera.
Ai shtoi se heqja e vizave do të jetë një tjetër pikë kthese në këtë marrëdhënie të veçantë dhe do të çojë në zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve turistike midis dy shteteve.
Ndërkaq, Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla Schwarz shprehu krenari dhe gëzim që Izraeli dhe Kosova kanë vendosur marrëdhënie diplomatike, për çka potencoi se ishte privilegj nënshkrimi i marrëveshjes dypalëshe për udhëtimin pa viza ndërmjet dy vendeve.
Ajo theksoi se kjo marrëveshje është një arritje e madhe që shënon një epokë të re në bashkëpunimin ndërmjet Kosovës dhe Izraelit.
Ndërkaq, sot gjatë ditës nënshkrimin e marrëveshjes ndërshtetërore për heqjen e vizave e kanë bërë ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla dhe ministri i Brendshëm i Izraelit, Moshe Arbel.
Kësisoj, Izraeli bëhet shteti i 50-të që mundëson lëvizjen e lirë për qytetarët e Kosovës. Marrëveshja do të fillojë së zbatuari nga 19 shtatori i këtij viti.
















