Grupi parlamentar ndërpartiak, për pozitën e personave me aftësi të kufizuara
Në seancën konstituive të Grupit Parlamentar Ndërpartiak për Avancimin e të Drejtave të Personave me Aftësi të Kufizuara u diskutua për promovimin dhe avancimin e të drejtave të personave me aftësi të kufizuara, për mbështetjen dhe njohjen e gjuhës së shenjave si gjuhë zyrtare në vend, si dhe zbatimin e konventës për të drejtat e personave me nevoja të veçanta. Ky grup do ta ketë edhe mbështetjen e kryeparlamentarit, Afrim Gashi.
“Pesha e kësaj ngjarjeje e kalon përgjegjësinë tonë institucionale. Vlerësoj se më shumë se kaq ka të bëjë me përgjegjësinë tonë morale dhe njerëzore për të reflektuar mbi sfidat, përfaqësimin dhe arritjet e një komuniteti qenësor në shoqërinë tonë. Me këtë rast përgëzoj ngjarjen dhe punën e grupit parlamentar ndërpartiak për avancimin e të drejtave të personave me aftësi të kufizuara, i cili padyshim tashmë është një zëdhënës aktiv dhe një urë lidhëse mes institucioneve, organizatave dhe personave me nevoja të veçanta”, deklaroi kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi.
Personat me nevoja të veçanta kërkojnë kushte më të mira për një jetë më cilësore, si dhe të mos anashkalohen në shoqëri.
“Mendoj se ka ardhur koha personat me nevoja të veçanta të dëgjohen me zemër jo vetëm me fjalë, ka ardhur koha që në institucione të kemi vendkalime për personat me nevoja të veçanta, çdo ministër apo parti politike duhet t’i ndihmojë personat me nevoja të veçanta”, theksoi kryetari i Shoqatës “Sos Vita”, Ertan Shaqiri.
“Në mandatin e ardhshëm një pjesë e personave me invaliditet të jenë në anën tuaj ose në anën e deputetëve. Mendoj se është në rregull disa persona me invaliditet të jenë të kyçur direkt në përgatitjen dhe miratimin e ligjeve, sepse vetëm kështu mund të shkojmë përpara dhe të jemi të barabartë”, u shpreh kryetari i Shoqatës “Mobillno Skopje”, Dejan Gjorgjievski.
Nga shoqatat e personave me nevoja të veçanta, po ashtu theksojnë se vendi ynë nuk i plotëson kushtet që parasheh konventa ndërkombëtare, si në fushën e arsimit, punësimit, mbrojtjes shëndetësore, qasjes në institucionet me karakter publik, infrastrukturë dhe në punësim.