KE-ja kërkon nga Serbia që të përmirësojë në mënyrë të dukshme situatën e shqiptarëve në Luginën e Preshevës

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 31 Tetor, 2024 20:56

KE-ja kërkon nga Serbia që të përmirësojë në mënyrë të dukshme situatën e shqiptarëve në Luginën e Preshevës

Në raportin për vitin 2024 të Komisionit Evropian (KE) për Serbinë, një pjesë i është kushtuar edhe çështjes së pakicave kombëtare, duke përmendur veçanërisht çështjen e pasivizimit të adresave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës – Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc – dhe nënpërfaqësimin e tyre në institucionet shtetërore të Serbisë

“Anëtarët e pakicës kombëtare shqiptare kanë ngritur shqetësime për mënyrën se si policia kontrollon statusin e vendbanimeve në pjesën jugore të Serbisë, duke rezultuar në ‘pasivizimin’ e disa adresave. Është e nevojshme që autoritetet t’i shpjegojnë më mirë publikut se si kryhen këto kontrolle”, ka thënë KE-ja në Raportin e Progresit.

Shqiptarët e Luginës së Preshevës e kanë ngritur zërin kundër diskriminimit që përjetojnë çdo ditë në Serbi. Ata kanë kërkuar të integrohen nëpër institucionet shtetërore të Serbisë, por edhe të zgjidhet çështja e pasivizimit të adresave – kërkesa që janë përfshirë edhe në planin e veprimit prej shtatë pikash, por që nuk është miratuar.

“Zbatimi i planit të veprimit për përmirësimin e përfaqësimit të shqiptarëve në institucione duhet të përshpejtohet dhe të çojë në përmirësime të prekshme”, ka konstatuar KE-ja në Raportin e Progresit për Serbinë, duke kujtuar se pakicat kombëtare mbeten të nënpërfaqësuara në institucionet shtetërore të Serbisë.

Gjithashtu, raporti ka evidentuar edhe gjuhën e urrejtjes në media, përfshrirë nga deputetët e Kuvendit të Serbisë, kundër pakicave kombëtare. Në raport është përmendur edhe çështja e gjuhëve të pakicave kombëtare, krahas rëndësisë së funksionimit të duhur dhe pavarësisë së këshillave të pakicave kombëtare në Serbi. (AP)

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 31 Tetor, 2024 20:56