MASH-i urdhëron të mos anulohet asnjë orë mësimore

Flaka
Botuar nga Flaka 19 Mars, 2025 15:30

MASH-i urdhëron të mos anulohet asnjë orë mësimore

Duket se Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës e ka kap “frika” nga ndonjë protestë apo rebelim i nxënësve të shkollave të mesme, pas tragjedisë në Koçanë. Dje, MASH-i në bashkëpunim me UNICEF-in, Institutin e Psikologjisë në Fakultetin Filozofik në Shkup, si dhe me Odën e Psikologëve, ka publikuar udhëzime për veprimet e shkollave, mësimdhënësve dhe prindërve në situata krize, me qëllim që të ofrojnë mbështetje psikologjike për nxënësit pas tragjedisë në Koçan. Megjithatë, udhëzimi kryesor është që, të mos ndërpritet asnjë orë mësimore. Kjo, duket se MASH-i dëshiron të pengojë bashkëngjitjen e nxënësve të shkollave të mesme me studentët e Shkupit, që po grumbullohen për çdo ditë në platonë e Universitetit “Kirili dhe Metodi”.

Siç thonë nga MASH-i, udhëzimet synojnë të ndihmojnë shkollat për të ofruar mbështetje psikologjike për nxënësit pas ngjarjes tragjike në diskotekën në Koçan, në të cilin humbën jetën shumë të rinj. “Kjo ngjarje ka prekur të gjithë dhe prandaj është e rëndësishme që ne të tregojmë solidaritet kolektiv dhe të gjejmë mënyra për të mbështetur nxënësit për të përballur pikëllimin dhe ankthin që ndjejnë”, thuhet në udhëzimet e publikuara nga MASH.

Në udhëzimet për shkollat, ndër të tjera shkruhet se aktivitetet shkollore duhet të mbahen dhe mësimi të mos anulohet, sepse jashtë orëve, nxënësit do të ndikohen nga ndikimet e pakontrolluara nga mjedisi.

“Jashtë shkollës mund të mbeten vetëm pa mbështetje dhe të ndikuar nga lajmet negative që vijnë nga mediat. Klasat duhet të organizohen në atë mënyrë që të kenë prioritet mbështetjen psiko-sociale të nxënësve. Rekomandohet që mësimdhënësit të planifikojnë aktivitete në konsultim me bashkëpunëtorët profesional. Gjatë orëve të mësimit është e rëndësishme që për mirëqenien e nxënësve, të mos zhvillohen teste, të organizohen aktivitete që do t’i ndihmojnë nxënësit të ndihen më mirë. Gjatë mësimeve, mësuesit duhet të gjejnë kohë për të biseduar me nxënësit dhe t’i lejojnë ata të flasin për aksidentin nëse e ndjejnë të nevojshme. Nxënësve u duhet dhënë mundësia të shprehin mendimet dhe emocionet e tyre në një mjedis të kontrolluar dhe mbështetës. Çdo nxënës që ndjen nevojën ose dëshiron të flasë më shumë për këto zhvillime duhet të drejtohet se me kë dhe ku të kontaktojë, brenda dhe jashtë shkollës”, thuhet në udhëzime.

Në udhëzimet e destinuara për mësuesit, jepen shembuj për fjalime dhe diskutime me nxënësit gjatë orëve të mësimit, dhe në udhëzimet për prindërit, këshilla se si të bisedojnë me fëmijët e tyre për situatën e krizës, të cilat do t’i ndihmojnë ata të përballojnë pasojat e një ngjarje traumatike.

“Kufizoni kohën e kaluar me lajmet për ngjarjen dhe bëni kujdes me informacionet që shpërndani në rrjetet sociale. Ekspozimi i vazhdueshëm ndaj përmbajtjes mediatike mund të rrisë ankthet dhe frikën tuaj dhe të tyre. Shkëmbimi i informacionit mund të kontribuojë gjithashtu në paqartësi ose përhapje të dhënave të paverifikuara që mund të shkaktojnë dëm. Përmbajuni informacioneve të verifikuara nga burime përkatëse. Është thelbësore të punohet për trajtimin e ankthit tek fëmijët. Është e rëndësishme t’u tregohet fëmijëve se ky është një aksident, i izoluar dhe nuk duhet të përgjithësohet në një rrezik kolektiv dhe të përhershëm”, shkruhet në udhëzimet për prindërit.

Udhëzimet për shkollat, mësuesit dhe prindërit, të përgatitura në të pesë gjuhët në të cilat zhvillohet mësimi në vend, janë të disponueshme edhe në faqen e internetit të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës. (koha.mk)

Flaka
Botuar nga Flaka 19 Mars, 2025 15:30