Vuçiq në rreshtin e dytë në Moskë, fotoja që ngriti nervat në Beograd!
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është vënë në qendër të vëmendjes pas një fotografie që po qarkullon me shpejtësi në rrjetet sociale, ku ai shihet i ulur në rreshtin e dytë gjatë një eventi zyrtar në Moskë. Kjo ka ngritur pikëpyetje dhe kritika në lidhje me rëndësinë që i është dhënë Serbisë në mesin e liderëve botërorë, transmeton Flaka Media
Por Vuçiq nuk ka qëndruar i heshtur. Ai ka mohuar zërat se Serbia është “hedhur mënjanë”, duke sqaruar se fotografia është shkrepur gjatë një koncerti dhe se uljet janë bërë sipas rendit alfabetik. Ai shtoi se ishte ulur mes Palestinës dhe Sllovakisë për këtë arsye, ndërsa theksoi se Serbia ka qenë një nga tre vendet me të cilat presidenti Putin ka pasur takim bilateral – krahas Brazilit dhe Egjiptit.
“Nëse Serbia është hedhur mënjanë, atëherë unë jam president i ndonjë superfuqie që s’po e njoh”, ironizoi Vuçiq. Ai përmendi gjithashtu një moment me presidentin kinez Xi Jinping, i cili, sipas tij, e ndaloi për të ecur bashkë drejt monumentit të Heroit të Panjohur, gjë që Vuçiq e cilësoi si “nder të jashtëzakonshëm”.
Megjithë përpjekjet e tij për ta minimizuar incidentin, komentet në rrjete vazhdojnë të shpërthejnë, ndërsa disa analistë në rajon e shohin këtë si një “ftohje simbolike” të Moskës ndaj Beogradit, ndërkohë që tensionet gjeopolitike po rriten. Flaka Media
















