Rama feston agimin e fitores: “Çfarë agimi ky sot” – PS kryeson me mbi 53%
Në orët e para të mëngjesit të së martës, ndërsa procesi i numërimit të votave është ende në vijim, Partia Socialiste ka konsoliduar avantazhin e saj me një rezultat të thellë dhe të sigurt, shkruan Flaka
Sipas të dhënave të fundit deri në orën 06:00, janë numëruar 1083 kuti votimi nga 5225 në total, ku Partia Socialiste e Shqipërisë ka marrë 53.26% të votave.
Në këtë atmosferë pozitive për socialistët, kryeministri dhe lideri i PS-së, Edi Rama, ka reaguar për herë të parë me një postim simbolik në rrjetet sociale. Ai ka shpërndarë një foto të realizuar para selisë së partisë, ku shihet dora e ngritur me pesë gishta – numri i Partisë Socialiste në fletën e votimit – shoqëruar me përshkrimin:
“Çfarë agimi ky sot”.
Postimi është interpretuar si një mesazh triumfi dhe vetëbesimi, teksa PS duket se po shkon drejt një fitoreje tjetër bindëse në zgjedhjet parlamentare. Simbolika e “agimit” dhe e numrit “5” është parë si një shenjë e vijimësisë së mbështetjes popullore për qeverinë aktuale dhe drejtimit të saj politik.
Rezultatet përfundimtare pritet të shpallen pas përfundimit të numërimit të plotë, por sinjalet janë të qarta: Partia Socialiste është në rrugë të sigurt drejt një tjetër mandati të fuqishëm. Flaka Media
















