Snopçe godet Mexhitin: Ishte pjesë e listave të zeza që sot i denoncon
Deputeti i Aleancës për Shqiptarët, Halil Snopçe, ka reaguar ashpër ndaj akuzave të Izet Mexhitit dhe Lëvizjes Besa, të cilët e kanë kritikuar vendimin e Arben Taravarit për të kaluar në opozitë. Në një deklaratë për mediat, Snopçe ka rikujtuar të kaluarën politike të Mexhitit si nënkryetar i BDI-së, duke e cilësuar paradoksale që sot ai kritikon ata që, sipas tij, i japin përkrahje “listave të zeza”, transmeton Flaka Media
“Ai ka qenë nënkryetar i asaj partie dhe kryetar shtabi në disa cikle zgjedhore, tani na akuzon se ne i japim përkrahje listave të zeza, kur ai vetë ka qenë nënkryetari i listave të zeza dhe i të korruptuarve”, theksoi Snopçe.
Për më tepër, Snopçe ka akuzuar edhe kryetarin e Lëvizjes Besa, Bilall Kasami, duke e quajtur hipokrite për faktin që më herët ka bashkëpunuar me LSDM-në në kuadër të një koalicioni parazgjedhor, ndërkohë që sot përpiqet të paraqitet si alternativë opozitare.
“Bilall Kasami dhe Besa hynë në koalicion me LSDM-në, nuk u bashkuan me opozitën. Nëse LSDM-ja ishte e korruptuar, pse qëndruan me ta?”, pyeti ai.
Deputeti i ASH-së theksoi gjithashtu se sulmet nga partnerët e dikurshëm janë “të hatashme” dhe se koalicioni i kaluar ka qenë një fasadë politike. “Nga jashtë ka shkëlqyer, por nga brenda ka qenë i kalbur,” deklaroi Snopçe.
Në përfundim, ai sugjeroi se këto sulme vijnë pikërisht në një moment kur, sipas tij, Arben Taravari është shfaqur si figura më e besueshme në menaxhimin e tragjedisë së fundit në Koçan. Flaka Media
















