Flaka Editorial: Kur urdhrat verbalë sfidojnë ligjin dhe barazinë
Rasti në Shtëpinë e Shëndetit në Kumanovë, ku një urdhër verbal ka ndaluar përdorimin e gjuhës shqipe në vërtetimet për vaksinim, nuk është një incident i izoluar. Është një simptomë e një problemi më të thellë dhe më të rrënjosur në institucionet publike në Maqedoninë e Veriut – një kulturë administrative ku ligji për gjuhët shpesh shihet si pengesë, jo si obligim, shkruan Flaka
Kur një punonjës i nivelit të mesëm apo të lartë brenda një institucioni shtetëror guxon të japë urdhra në kundërshtim me ligjin, dhe kur ky urdhër zbatohet pa ndonjë ndëshkim apo reagim institucional të menjëhershëm, atëherë kemi të bëjmë me normalizim të shkeljes. Kur gjuha shqipe – zyrtare sipas Kushtetutës dhe Ligjit për përdorimin e gjuhëve – përjashtohet me vendime “praktike”, kjo nuk është vetëm çështje administrative. Është diskriminim gjuhësor dhe, më gjerë, një mohim i barazisë qytetare.
Arsyetimi se dokumentet janë shtypur më herët dhe duhet përdorur deri sa të shterojnë është cinik dhe i papranueshëm. Ligji nuk vlen “kur të mbarojnë fletët e vjetra”. Ai vlen gjithmonë, dhe çdo ditë që shkelet është një ditë më shumë e përçmimit të barazisë.
E gjithë kjo ndodh në një kontekst ku punonjësit shqiptarë raportojnë prej vitesh për mosrespektim të të drejtave të tyre – jo vetëm për gjuhën, por edhe për punësime, avancime, përfaqësim në vendimmarrje. Rasti i fundit ku ish-drejtori kallëzohet për punësime joligjore është vetëm maja e ajsbergut.
Por problemi më i madh nuk është thjesht urdhri verbal. Problemi është heshtja institucionale, mungesa e reagimit nga Ministria e Shëndetësisë, nga Komisioni për Parandalimin e Diskriminimit apo Kuvendi. Heshtja është ajo që e mban gjallë diskriminimin.
Në një shtet multietnik dhe multigjuhësor, barazia para ligjit nuk është çështje simbolike – është bazë e rendit demokratik. Nëse e drejta për gjuhën mohohet në një dokument kaq bazik sa një vërtetim për vaksinë, atëherë çfarë garancie ka qytetari shqiptar për trajtim të barabartë në sferat e tjera të jetës?
Institucionet duhet ta kuptojnë njëherë e mirë: Përdorimi i gjuhës shqipe nuk është privilegj që jepet sipas dëshirës së dikujt. Është e drejtë ligjore, e patjetërsueshme. Dhe çdo përpjekje për ta kufizuar është shkelje që duhet ndëshkuar.
Nëse nuk ka ndëshkim, nuk ka as drejtësi. Flaka Media
















