Festival tradicional në Ohër, Stafaj: Muzika dhe arti kapërcejnë çdo barrierë
Deputetja nga radhët e VLEN-it, Saranda Imeri Stafaj, në cilësinë e kryetares së Komisionit parlamentar për Kulturë dhe Turizëm, ka shpallur të hapur edicionin e 64-të të Festivalit të Këngëve dhe Valleve Popullore në qytetin e Ohrit.
Në fjalimin e saj, deputetja Stafaj theksoi rëndësinë e kësaj ngjarjeje kulturore dhe fuqinë që arti dhe muzika kanë për të kapërcyer ndarjet dhe për të afruar njerëzit:
“Si deputete dhe kryetare e Komisionit parlamentar për kulturë dhe turizëm, kam nderin ta hap këtë ngjarje të rëndësishme,” – tha ajo në hapje.
“Por, përveç profesionit tim aktual si politikane, jam edhe një person që për shumë vite kam qenë e përfshirë aktivisht në skenën muzikore si artiste e muzikës së lehtë. Zëri im gjithmonë i ka kënduar meloditë shqiptare.”
Ajo vuri theksin edhe te rëndësia e folklorit si mjet për ruajtjen dhe transmetimin e trashëgimisë kulturore:
“Folklori është i veçantë, është shprehje autentike e shpirtit të një populli, një histori e gjallë e treguar përmes lëvizjeve dhe tingujve, e cila e transmeton kulturën e një populli nga brezi në brez.”
Sipas saj, festivali në Ohër nuk është vetëm një ngjarje artistike, por edhe një platformë për bashkëjetesë kulturore:
“Ky festival është veçanërisht i rëndësishëm për afrimin e njerëzve dhe kremtimin e shumëllojshmërisë sonë kulturore të përbashkët,” u shpreh Stafaj.
Me këtë hapje zyrtare, festivali vazhdon rrugëtimin e tij të gjatë në promovimin dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore popullore në Maqedoninë e Veriut. Flaka
















