Italia përballet me mot ekstrem – dëme dhe ndërprerje energjie
Një valë e fuqishme moti të keq ka goditur Italinë veriore dhe qendrore, duke shkaktuar përmbytje masive, dëme materiale dhe ndërprerje të energjisë elektrike në disa qytete të mëdha. Situata më kritike është raportuar në Veneto, ku Venezia dhe komunat përreth janë përballur me nënkalime të bllokuara dhe rrugë të pakalueshme, duke rrezikuar lëvizjen e qytetarëve.
Në Padova, përmbytjet kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme, ndërsa zjarrfikësit kanë ndërhyrë në mbi 30 raste për të ndihmuar banorët dhe për të larguar ujin nga zonat e prekura. Në jug të Milanos, niveli i ujit ka arritur deri në 40 centimetra, duke përmbytur rrugë dhe prona. Ndërkohë, në Prato, pemë të rrëzuara kanë dëmtuar automjete dhe çati banesash.
Situata është përkeqësuar edhe në Viterbo, ku një stuhi me breshër dhe erëra të forta ka shkaktuar ndërprerje të energjisë elektrike dhe përmbytje të shpejta. Në Romë dhe provincën përreth, janë regjistruar mbi 100 ndërhyrje të zjarrfikësve, kryesisht për pemë të rrëzuara dhe dëme në zonat bregdetare dhe juglindore të kryeqytetit.
Autoritetet italiane kanë lëshuar alarme portokalli dhe të verdha për rajonet më të rrezikuara dhe u bëjnë thirrje qytetarëve të shmangin udhëtimet e panevojshme dhe të ndjekin udhëzimet e emergjencës.
Flaka
















