Kontrolle prindërore dhe verifikim moshe, risitë e reja të ChatGPT
OpenAI ka njoftuar zhvillimin e një sistemi të automatizuar parashikimi të moshës për përdoruesit e ChatGPT, i cili synon të ofrojë një përvojë më të sigurt dhe të përshtatshme për adoleshentët nën moshën 18 vjeç.
Sipas CEO-së së kompanisë, Sam Altman, sistemi do të analizojë mënyrën se si përdoruesit ndërveprojnë me ChatGPT për të përcaktuar moshën e tyre të mundshme. Në rastet kur mosha nuk mund të përcaktohet me saktësi, përdoruesit do të kalojnë automatikisht në një version të përshtatur për nën 18 vjeç. Në disa vende, mund të kërkohet edhe verifikim me ID për të siguruar përvojën e duhur.
Altman theksoi se ChatGPT është menduar për përdorues mbi 13 vjeç, por për ata nën 18 vjeç do të vendosen kufizime të qarta: bisedat flirtuese dhe temat që lidhen me vetëvrasjen do të jenë të çaktivizuara. Nëse një përdorues i mitur shfaq mendime vetëvrasëse, sistemi do të përpiqet të kontaktojë prindërit dhe, në rast urgjence, edhe autoritetet.
Ky zhvillim vjen paralelisht me prezantimin e kontrolleve prindërore, që do të jenë të disponueshme deri në fund të muajit. Prindërit do të kenë mundësi të lidhin llogaritë e tyre me ato të fëmijëve, të vendosin kufizime për përdorimin dhe të marrin njoftime në rast shqetësimesh serioze.
OpenAI thekson se prioriteti kryesor është siguria e të rinjve, edhe nëse kjo nënkupton kompromis me privatësinë e të rriturve.
Flaka
















