Lamborghini zbarkon në det: prezantohet superjahti Tecnomar 101FT
Në Panairin prestigjioz të Jahteve në Monako, Automobili Lamborghini dhe Italian Sea Group prezantuan krijimin e tyre më të ri: Tecnomar for Lamborghini 101FT, një superjaht luksoz 30 metra i gjatë që përfaqëson kombinimin perfekt mes dizajnit automobilistik dhe inxhinierisë detare.
Ky model i ri është pasardhësi i Tecnomar 63, i prezantuar disa vite më parë, por këtë herë në një përmasë më të madhe dhe më të fuqishme. Dizajni i tij mbart gjuhën karakteristike të Lamborghini-t, me linja të mprehta, elementë heksagonalë dhe dritat ikonike në formë Y, të frymëzuara nga hypercar-i i ri Lamborghini Fenomeno.
Jahti është i pajisur me tre motorë MTU që prodhojnë mbi 7,600 kuaj fuqi, duke i dhënë mundësinë të arrijë një shpejtësi maksimale prej 45 nyjesh (rreth 83 km/h) – performancë e krahasueshme me supermakinat e markës italiane.
Brendësia e jahtit është po aq mbresëlënëse, me ambiente të personalizueshme, kabina luksoze për deri në 9 të ftuar dhe tre kabina për ekuipazhin. Timoni është projektuar për të dhënë të njëjtën ndjesi si të jesh pas timonit të një Lamborghini super sportiv.
Ky projekt i ri është një tjetër dëshmi e bashkëpunimit të suksesshëm mes Lamborghini dhe Italian Sea Group, duke sjellë në det luksin, performancën dhe inovacionin italian.
Flaka
















