Zelensky në Mynih: Prioritet absolut raketat për mbrojtjen ajrore, priten paketa të reja ndihme për Ukrainën
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka deklaruar se prioriteti kryesor i vendit të tij mbetet forcimi i mbrojtjes ajrore, veçanërisht sigurimi i raketave për t’u mbrojtur nga sulmet balistike ruse.
Sipas agjencisë Ukrinform, Zelensky i bëri këto komente gjatë fjalimit të tij të mbrëmjes, pas pjesëmarrjes në Munich Security Conference.
“Pati shumë takime, dhe më e rëndësishmja – do të ketë paketa të reja mbështetjeje për Ukrainën. Prioriteti kryesor janë raketat për mbrojtjen ajrore, për mbrojtjen nga raketat balistike. Kjo ka qenë çështja numër një gjatë gjithë këtij dimri,” u shpreh ai.
Zelensky theksoi se këtë çështje e ka diskutuar në Mynih me pothuajse çdo udhëheqës që mund të ndihmojë realisht Ukrainën, përfshirë edhe Sekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio.
Presidenti ukrainas shprehu shpresën se marrëveshjet dhe zotimet e arritura gjatë konferencës do të zbatohen sipas planit, duke theksuar se mbrojtja ajrore është një domosdoshmëri e përditshme për vendin.
Gjatë fjalimit të tij në konferencë, Zelensky prezantoi para politikanëve evropianë edhe një vizualizim të sulmit masiv të kryer nga forcat ruse kundër Ukrainës natën e 12 shkurtit, duke ilustruar rrezikun e vazhdueshëm me të cilin përballet popullsia civile dhe infrastruktura kritike.
Flaka


















