Ischinger: Evropës i duhen plane konkrete, jo vetëm fjalë për mbrojtjen
Kryetari i Munich Security Conference, Wolfgang Ischinger, u ka bërë thirrje udhëheqësve evropianë që të kalojnë nga retorika në veprime konkrete për forcimin e mbrojtjes dhe arkitekturës së sigurisë në kontinent, në një kohë kur pasiguria globale është në rritje.
Në fjalën e tij përmbyllëse në takimin tre-ditor, Ischinger theksoi se Evropa po bën përparime në fushën e mbrojtjes dhe se vendet janë të gatshme të marrin një pjesë më të madhe të barrës së sigurisë. Megjithatë, ai paralajmëroi se deklaratat politike nuk mjaftojnë.
“Ajo që na duhet tani është një plan, është veprim”, u shpreh ai, duke i nxitur vendet anëtare të Bashkimit Evropian të rrisin prodhimin ushtarak dhe të qartësojnë strategjitë për forcimin e mekanizmave të sigurisë kolektive.
Ischinger vuri në dukje se diskutimet në Mynih zbuluan edhe përçarje të thella mbi të ardhmen e rendit ndërkombëtar. Sipas tij, ekzistojnë pikëpamje të ndryshme nëse sistemi aktual global mund të riparohet apo nëse kërkohet një rindërtim i plotë.
“Në fillim të konferencës iu referova Raportit tonë të Sigurisë së Mynihut, i cili thekson se sistemi ndërkombëtar është nën shkatërrim”, tha ai, duke shtuar se disa liderë e konsiderojnë situatën të pandreqshme, ndërsa të tjerë bëjnë thirrje për restaurim dhe ripërtëritje.
Duke folur për luftën në Ukrainë, Ischinger kërkoi më shumë mbështetje ushtarake për Kievin, veçanërisht sisteme të mbrojtjes ajrore, si dhe koordinim më të fortë të sanksioneve kundër Rusisë.
“Pyetja se si do të përfundojë kjo luftë është një pyetje ekzistenciale për Evropën. Ajo do të përcaktojë të ardhmen e këtij kontinenti”, deklaroi ai, duke shprehur shpresën që aleatët të mbeten të bashkuar për të siguruar që Ukraina të triumfojë.
Flaka


















