Ali Ahmeti: 17 Nëntori 1994, datë e shënuar në historinë kombëtare – vendimi për emërtimin e UÇK-së
Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, ka kujtuar 17 nëntorin e vitit 1994, datën kur, sipas tij, në qytetin Aarau të Zvicrës, u mor vendimi historik për emërtimin e njësive të armatosura shqiptare me emrin Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK).
Në një mesazh përkujtimor, Ahmeti ka theksuar se ky vendim u mor në Kryesinë e Lëvizjes Popullore të Kosovës, pas një analize të situatës politike e kombëtare dhe kërkesave që vinin nga terreni.
“Sot, 32 vjet më parë, në Kryesinë e Lëvizjes Popullore të Kosovës, pas një analize të gjithanshme të situatës politike e kombëtare që kishim bërë dhe të kërkesave që vinin nga terreni, morëm vendimin historik për emërtimin e njësive të armatosura me emrin Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK)”, ka shkruar Ahmeti.
Ai ka vlerësuar se në Aarau të Zvicrës mori formë zyrtare emri që më vonë u shndërrua në simbol të luftës për liri dhe çlirimin e Kosovës nga okupimi dhe regjimi serb.
“Emërtimi i UÇK-së ishte një vendim me rëndësi historike, që shënoi një kthesë të madhe në organizimin e luftës së armatosur çlirimtare dhe hapi një kapitull të ri në historinë e përpjekjeve të popullit shqiptar për liri, dinjitet dhe të drejta kombëtare”, ka theksuar ai.
Ahmeti ka nënvizuar se kjo datë ka rëndësi të veçantë për brezin e atdhetarëve që kontribuuan në organizimin dhe realizimin e idealit të çlirimit kombëtar.
Në fund të mesazhit, ai ka shprehur mirënjohje për të gjithë kontribuuesit në këtë proces, duke kujtuar veçanërisht dëshmorët e kombit.
“Lavdi e përjetshme dëshmorëve të kombit! Nderim dhe mirënjohje të përhershme të gjithë atyre që kontribuuan në organizimin, themelimin dhe luftën e lavdishme të UÇK-së!”, ka përfunduar Ahmeti.
Flaka














