Ambasadorja norvegjeze Mona Juul jep dorëheqjen pas hetimeve për kontaktet me Jeffrey Epstein
Ambasadorja norvegjeze, Mona Juul, e përfshirë më parë në përpjekjet për paqe izraelito-palestineze në vitet 1990 dhe së fundmi e emëruar në Jordani, ka dhënë dorëheqjen ndërsa përballet me hetime për kontaktet e saj me Jeffrey Epstein, njoftoi Ministria e Jashtme e Norvegjisë.
Dorëheqja erdhi disa ditë pas pezullimit të saj nga detyra në Jordani. Vendimi pasoi raportimet se Epstein kishte lënë 10 milionë dollarë në testament për fëmijët e Juul dhe bashkëshortin e saj, Terje Rod-Larsen, pak para se të vdiste në një burg të New Yorkut në vitin 2019.
Ministri i Jashtëm, Espen Barth Eide, e përshkroi vendimin e Juul si “të drejtë dhe të nevojshëm”, duke shtuar se kontakti i saj me Epstein përbënte një “gabim serioz në gjykim” dhe e bënte të vështirë rikthimin e besimit në rolin e saj. Hetimi mbi dijeninë dhe kontaktet e Juul me Epstein do të vazhdojë, përfshirë edhe rishikimin e financimit dhe kontakteve me Institutin Ndërkombëtar të Paqes në New York, ku drejtor ishte bashkëshorti i saj.
Juul ka deklaruar se kontaktet e saj me Epstein ishin sporadike, private dhe jo pjesë e detyrave zyrtare, por pranoi se duhej të kishte qenë më e kujdesshme. Ky rast ka nxitur vëmendje mbi disa figura të shquara norvegjeze, përfshirë edhe Princeshën Mette-Marit dhe ish-kryeministrin Thorbjorn Jagland, për lidhjet e tyre me Epstein.
Flaka
















