Arsimi duhet të jetë më pragmatikë
Ҫfarë është për mua bukuria e mësuesisë? Për shembull të kesh nxënës të shkëlqyeshëm, të cilët krijojnë vlera dhe gjykojnë në mënyrë pragmatike. Bukuria gjithashtu është edhe të arrish rezultatin në funksion të edukimit. Bukuria është gjithashtu edhe afirmimi i nxënësve talent. Bukuria është gjithashtu edhe ndërtimi i arkitekturës mësimore
Nga prof. Xheladin MURATI
Arsimi dhe shkolla sot nuk janë ende në nivel të kënaqshëm nëse flasim në përgjithësi ka ende hapësira për përmirësime dhe këto përmirësime e ndryshime duhet të shikohen në drejtim të gjenerimit të ideve, kreativitetit, sfidave të njohjes logjike e shkencore, metodologjisë së të mësuarit etj. Më shumë fokus, vendosmëri dhe intensitet duhet të jenë të pranishme në vendosjen e qëllimeve të arsimit për ta bërë atë pragmatikë.
Përgjatë rishikimit të arsimit dalin në pah kufizimet e ndryshme që janë aspekt i përvojës apo mungesës së aftësive praktike për tu përballuar me jetën dhe profesionin. Prandaj arsimi pragmatikë gjendet përballë sfidave të kohës.
PREMISAT
- Arsimi dhe shkolla duhet të jenë më pragmatike.
- Përmbajtjet që mësohen duhet të jenë në funksion të punës, prodhimtarisë.
- Arsimi dhe shkolla duhet ta aftësojnë nxënësin, studentin për t’u përshtatur me situatat e reja teknologjike.
- Forca e zhvillimit të arsimit dhe shkollës zhvillohet mes sfidave dhe sukseseve.
- Sot pavarësi e individit konsiderohet arsimimi dhe puna. Prandaj arsimi duhet të jetë pragmatikë.
QASJET DHE ASPEKTET
Me kalimin e kohës arsimi dhe shkolla ndryshojnë në mision, përmbajtje dhe funksion. Ndryshimet janë gjithmonë të pranishme. Pozicioni i tij dhe besimin që qytetari, shoqëria i dha atij, bën që arsimi dhe shkolla të marrë sipas mendimit tim pseudonimin zhvillues i sekreteve të njeriut. Shumë pak njerëz besojnë se arsimi do t’i nxjerrë ndonjëherë ato sekrete që ai bartë e që duhet ti prezantoj. Pikërisht këtu qëndron nevoja që ai të jetë më pragmatikë.
Esenca e arsimit pragmatikë është vështirë të përkufizohet sepse arsimi si përmbajtje preokupohet me kontekstin njerëzor, historik, shoqëror, kulturor, teknologjik e të ngjashme, pra me zhvillimin në tërësi. Kjo do të thotë se arsimi pragmatikë është pikë së pari një përmbajtje komplekse njohëse (gnoseologjike, aksiologjike), e pastaj një praktikë, i cili kontribuon në strukturat apo aspektet kulturore, shoqërore, edukative dhe ambienteve të ndryshme njerëzore e sociale.
Që arsimi të ndërtohet në nivel pragmatikë janë katër gjëra të rëndësishme, të cilat e përkufizojnë arsimin pragmatikë si nevojë e kohës, por edhe shkollën si institucion arsimor.
E para, përmes arsimimit nxënësit të bëhen të zotë, të arrirë dhe të suksesshëm.
E dyta, arsimi të bëhet proces i vazhdueshëm interaktiv mes edukimit të mendjes dhe praktikës jetësore e profesionale.
E treta, krijimi i vlerave origjinale të dijes, dhe;
E katërta, kreativiteti pa fund i çdo përmbajtje apo moduli mësimor që u ofrohet nxënësve. Këto në fakt, janë dimensionet e të kuptuarit pragmatik të arsimit. Pra, arsimi pragmatik nuk synon mësimin vetëm nga libri të nxënësit, por ai i ofron mësimin e jetës dhe edukatën që i përket ati, njeriut. Rruga e arsimit asnjëherë nuk duhet të qëndrojë në vend, arsimi i vërtetë është gjithmonë në lëvizje (ndryshim, përmirësim, zhvillim, përsosje), në kërkimin e së resë dhe të pragmatikës. Nëpërmjet të kuptuarit të karakterit pragmatik të arsimit, është kryesore për nxënës e student, të lëvizin, të njohin vetveten, të lexojnë, të arinë ta vënë në kontekst se çfarë lexojnë, të krahasojnë, të bëhen më kreativ e më të ndërgjegjshëm duke seleksionuar të arsyeshmen, të dobishmen, të nevojshmen. Kështu ata i kontribuojnë pragmatizmit dhe dijet e tyre, njohuritë, arsimi i afrohet konkretes.
Ҫfarë do të thotë arsim pragmatikë? Esenca e tij qëndron, sipas mendimit tone në dy elemente: Së pari, mësimet që nxjerrë nxënësi nga ajo që ka mësuar në shkollë ta motivojnë të bëjë dallimin mes asaj që është e mirë për atë dhe asaj që nuk është. E dyta, të bëjë dallimin mes asaj që e pengon në progres dhe çfarë e shtyn përpara. Prandaj korniza konceptuale e arsimit me standarde dhe vlera të mirëfillta është arsimimi pragmatikë. Arsimi pragmatik nuk është as enciklopedizmi dhe as historicizmi të cilat nuk sollën përfitimet e dëshiruara.
Kam bindjen se arsimit i paraprin periudhë e ndërlikuar dhe sfiduese, Vlerësoj se periudha që pason me të vërtetë do të jetë e rëndë dhe sfiduese, ndërsa nga institucionet nuk shoh kurfar masa me të cilat do të zbutej gjendja.
Sfidat i shoh nga dy aspekte: Së pari, nga aspektet e jashtme (pandemia, energjetika, ekonomia) dhe së dyti, nga aspektet e brendshme: transformimi qenësor i tij, i pëmbajtjes, logjikës së të mësuarit, logjikës së të kuptuarit dhe logjikës së të vlerësuarit. Por ajo që mbetet gjithmonë një sfidë e përhershme është transformimi i arsimit dhe orientimi i tij nga pragmatizmi. Ky orientim varet nga institucionet tona por edhe nga faktor relevantë ndërkombëtar. Ky pagmatizëm më së miri reflektohet në aftësimin praktikë të nxënësve të shkollave profesionale dhe studentëve të fakulteteve. Kjo do të thotë se mungesa e praktikës kërkon që nxënësit e studentët pas mbarimit të studimeve duhet të trajnohen për punë mbase kanë vetëm njohuri teorike dhe mungesë të njohurive praktike. Kam bindjen se studentët bëjnë shpesh punë në gruoe, prezanntime, projekte apo simulime si pjesë e programës mësimore praktike, ndërkohë që ajo nuk I plotëson funksionet praktike, madje në shumë institucione ende vazhdohet me mënyrën e leksioneve dhe provimeve klasike të mëparshme. Prandaj arsimi ka nevojë për reforma rrënjësore.
Krahas të gjitha përpjekjeve të mirëfillta dhe të sinqerta për të vendosur një arsim dhe shkollë moderne, duhet të sigurohet mirëkuptim i ndërsjellë, bashkëpunim të sinqertë dhe respektim të faktorëve të domosdoshëm për të realizuar me sukses projektet dhe aktivitetet e planifikuara që e bëjnë arsimin modern dhe pragmatikë.
Pasojat e ngecjes së arsimit në bashkëkohësimin e tij nga njëra anë dhe nga ana atjetër që ai të jetë pragmatikë duhet shikuar në afat të shkurtër, duhet të rimarim apo të vendosim kontrollin mbi dijen që ka nevojë tregu i punës. Në kuptimin afatgjatë, bëhet fjalë për konsolidimin e një sovraniteti të dijes që është lënë pas dore për një kohë të gjatë. Ndjekja e këtyre dy ambicieve kërkon unitet dhe aftësi pedagogjike për t’u përshtatur me një situatë të re botërore – një sfidë e konsiderueshme për institucionet që merren me artikulimin e arsimit, ngurtësia e të cilave kontribuon në ngecjen e cilësisë dhe mos harmonizimin e aspekteve teorike me ato pragmatike. Kjo dëshirë për transformim të arsimit me aspekte e premisa pragmatike aktualisht përballet me prova të reja, me kriza qenësore (ikja e trurit jashtë vendit, pamundësia të inkuadrohen në profesione pa bërë trajnime plotësuese etj.)
Qasja pragmatike ndaj arsimit e shkollës do të kishte një ndikim kritik në vetë rolin dhe funksionin e arsimit. Arsimi do të jetë shumë më efektiv nëse institucionet do të veprojnë në mënyrë të koordinuar pa primesa politike, me mbështetje shkencore përpara se koncepcionet arsimore të miratohen.
PËRFUNDIM
Duhet ta kuptojmë rëndësinë e veçantë të çështjeve të arsimit për ta bërë atë shtyllë të rëndësishme të zhvillimit të shoqërisë. Prandaj arsimi duhet të jetë pragmatikë. Në pragmatizëm duket bukuria e mësuesisë.
Ҫfarë është për mua bukuria e mësuesisë? Për shembull të kesh nxënës të shkëlqyeshëm, të cilët krijojnë vlera dhe gjykojnë në mënyrë pragmatike. Bukuria gjithashtu është edhe të arrish rezultatin në funksion të edukimit. Bukuria është gjithashtu edhe afirmimi i nxënësve talent. Bukuria është gjithashtu edhe ndërtimi i arkitekturës mësimore. Mësuesit që përfaqësojnë bukurinë e mësuesisë janë ato që e transformojnë vështirësinë në gjera të thjeshta.
















