Banesa 20% më të lira për të rinjtë, por kush e paguan faturën? Mickoski ia kalon barrën ndërtuesve dhe komunave
Qeveria premton lehtësim për çiftet e reja, por jo përmes një subvencioni nga buxheti i shtetit. Kompanitë e ndërtimit do të detyrohen të ofrojnë së paku 10% të sipërfaqes banesore me çmim 20% nën çmimin referues, ndërsa komunat do të duhet të heqin dorë nga të hyrat prej komunalive për ndërtimin e shtëpive. Një politikë sociale me përfitues të përcaktuar, por me koston që, të paktën sipas modelit të paralajmëruar, bartet kryesisht jashtë buxhetit qendror.
Premtimi i kryeministrit Hristijan Mickoski për banesa 20% më të lira për çiftet e reja dhe lirimin nga pagesa e komunalive për ndërtimin e shtëpive ka hapur një debat që shkon përtej mbështetjes së të rinjve. Në qendër të tij është një pyetje ekonomike dhe juridike: a duhet shteti ta zgjidhë një problem social duke e detyruar sektorin privat të financojë një pjesë të zgjidhjes?
Në pamje të parë, masa duket tërheqëse. Çiftet e reja deri në moshën 35-vjeçare do të kenë mundësi të blejnë banesa me çmim të reduktuar, ndërsa ata që vendosin të ndërtojnë shtëpi do të lirohen nga pagesa e komunalive. Sipas sqarimit të fundit të Mickoskit, mjafton që njëri nga bashkëshortët të jetë deri në moshën 35-vjeçare.
Por mënyra se si është konceptuar masa ngre disa pikëpyetje serioze për tregun e ndërtimit, konkurrencën, të hyrat komunale dhe, mbi të gjitha, efektin real te çmimet e banesave.
1. Shteti premton 20% zbritje, por nuk paguan subvencion
Sipas modelit të paralajmëruar, çdo kompani që dëshiron të ndërtojë një objekt banesor do të detyrohet të ndajë së paku 10% të sipërfaqes banesore për çiftet që plotësojnë kushtet, me çmim së paku 20% më të ulët se çmimi referues i tregut.
Ky detyrim do të jetë kusht për marrjen e lejes së ndërtimit. Nëse investitori nuk e përmbush, nuk do të mund të marrë lejen për ndërtim.
Mickoski ka deklaruar se nuk ka nevojë për subvencionim të kompanive, duke argumentuar se ndërtuesit realizojnë fitime të mjaftueshme, duke përmendur çmimet prej rreth 3.000 eurosh për metër katror në Shkup.
Këtu lind një problem në argumentimin ekonomik. Çmimi i shitjes prej 3.000 eurosh për metër katror nuk është automatikisht fitim prej 3.000 eurosh. Nga kjo shumë duhet të mbulohen toka, materialet, fuqia punëtore, projektimi, financimi, infrastruktura, tatimet dhe shpenzimet e tjera. Fitimi real përcaktohet vetëm pasi të zbriten të gjitha kostot.
Prandaj, nëse Qeveria dëshiron të argumentojë se sektori i ndërtimit ka hapësirë për të përballuar një zbritje prej 20%, duhet të publikojë të dhëna për marzhet reale të fitimit, jo vetëm çmimet e shitjes.
Shteti ka të drejtë të kërkojë përgjegjësi sociale nga bizneset, por kjo nuk e zëvendëson analizën e kostos ekonomike të një detyrimi të ri.
2. A do të paguajnë për zbritjen edhe blerësit e tjerë?
Ky është një nga rreziqet më të rëndësishme të modelit.
Nëse një investitor detyrohet të shesë 10% të sipërfaqes banesore me çmim 20% më të ulët, ai mund të përpiqet ta kompensojë këtë humbje në mënyra të ndryshme:
- Duke rritur çmimet e pjesës tjetër të banesave.
- Duke negociuar çmim më të ulët për tokën.
- Duke ulur marzhin e fitimit.
- Duke ndryshuar strukturën dhe standardin e projektit.
- Duke kufizuar investimet në zona ku kostoja e detyrimit është më e lartë.
Nuk është e thënë që çdo kompani do të zgjedhë rritjen e çmimeve për blerësit e tjerë. Por ky është një skenar ekonomik që duhet analizuar përpara miratimit të ligjit.
Për ta ilustruar: në një ndërtesë me 100 banesa, nëse 10 banesa shiten me zbritje 20%, ndërsa 90 të tjerat mbeten me çmimin e zakonshëm, investitori duhet të përballojë një diferencë të konsiderueshme në të hyrat e pritshme.
Nëse kjo diferencë nuk mbulohet nga fitimi, toka apo kursimet në kosto, ekziston mundësia që një pjesë e saj të reflektohet në çmimet e banesave të tjera.
Kështu, masa që synon të ndihmojë një kategori qytetarësh mund të krijojë një barrë indirekte për blerësit që nuk përfitojnë nga programi.
3. Pse jo ulje tatimesh dhe subvencione nga buxheti?
Në vend që të vendosë një detyrim të drejtpërdrejtë mbi investitorët privatë, Qeveria mund të shqyrtonte një model tjetër: mbështetje për blerësit përmes instrumenteve fiskale.
Për shembull:
- Rimbursim i një pjese të TVSH-së për blerjen e banesës së parë.
- Lehtësim nga tatimi për bartjen e pronës së parë, kur plotësohen kushtet.
- Subvencionim i një pjese të interesit të kredisë banesore.
- Garanci shtetërore për kredi me kushte më të favorshme.
- Ulje të përkohshme të disa tatimeve dhe tarifave që ndikojnë në koston e ndërtimit.
- Ndërtim të banesave publike me çmime të kontrolluara përmes tenderëve transparentë.
Një model i tillë nuk do të thotë se Qeveria duhet t’i paguajë të gjitha shpenzimet. Mund të vendosë kufij të qartë për vlerën e banesës, sipërfaqen, të ardhurat e familjes dhe kushtin që prona të jetë banesa e parë.
Dallimi është se në këtë rast shteti e përcakton hapur se sa para publike ndan për politikën sociale, ndërsa nuk e vendos të gjithë barrën mbi një kategori të operatorëve privatë.
4. Çfarë bëjnë vendet e rajonit? Shembuj nga Serbia dhe Kroacia
Përvoja e vendeve të tjera tregon se mbështetja për të rinjtë në blerjen e banesës mund të realizohet përmes instrumenteve të buxhetit publik, lehtësimeve tatimore dhe garancive shtetërore.
Serbia – garanci shtetërore dhe subvencionim të interesit
Serbia ka krijuar një program për të rinjtë nga mosha 20 deri në 35 vjeç, që synon lehtësimin e blerjes së pronës së parë banesore.
Modeli përfshin uljen e pjesëmarrjes fillestare në kredi deri në 1%, garanci shtetërore dhe subvencionim të një pjese të interesit. Në maj të vitit 2026, Qeveria serbe njoftoi zgjerimin e skemës së garancive në 900 milionë euro.
Pra, shteti nuk i detyron ndërtuesit të shesin një pjesë të banesave me çmim të reduktuar, por ndërhyn përmes mekanizmave financiarë që e bëjnë kredinë më të qasshme për blerësit e rinj.
Kroacia – kthim i TVSH-së për banesën e parë
Kroacia ka miratuar një model ku qytetarët nën moshën 45-vjeçare që blejnë pronën e parë mund të përfitojnë kthimin e 50% të TVSH-së ose të plotë të tatimit për bartjen e pronës, në varësi të llojit të transaksionit.
Programi përfshin edhe blerjen ose ndërtimin e shtëpisë së parë. Përfituesit duhet të plotësojnë kushte të caktuara, përfshirë banimin real në pronën për të cilën kërkojnë rimbursim.
Kroacia ka paraparë edhe banesa me çmime të subvencionuara përmes programit shtetëror POS.
Këto modele kanë një element të përbashkët: shteti përdor buxhetin, lehtësimet tatimore ose garancitë publike për të ulur koston e blerësit, në vend që ta bëjë zbritjen një detyrim të përgjithshëm të investitorëve privatë.
Kjo nuk do të thotë se modelet serbe dhe kroate janë pa kosto ose pa probleme, por tregojnë se ekzistojnë alternativa ndaj detyrimit të ndërtuesve për të financuar drejtpërdrejt zbritjen.
5. Komunalitë pa komunalie: kush do ta mbulojë humbjen e komunave?
Masa e dytë parasheh lirimin e plotë nga pagesa e komunalive për çiftet e reja që vendosin të ndërtojnë shtëpinë e tyre.
Kjo mund të jetë një lehtësi e rëndësishme për familjet që kanë tokë dhe mundësi të ndërtojnë, por ka një dimension tjetër që nuk duhet anashkaluar: komunalitë janë të hyra të pushtetit lokal.
Të hyrat nga tarifat dhe kompensimet komunale përdoren për financimin e aktiviteteve dhe investimeve lokale, përfshirë rregullimin e tokës ndërtimore dhe infrastrukturën komunale.
Nëse komunat detyrohen të heqin dorë nga këto të hyra pa marrë kompensim nga buxheti qendror, atëherë ato duhet të përballojnë një mungesë financiare.
Kush do ta paguajë këtë diferencë?
- A do të kompensohen komunat nga Qeveria?
- A do të reduktohen investimet në infrastrukturë?
- A do të duhet komunat të gjejnë burime të tjera financimi?
- A do të ketë dallime në zbatimin e masës mes komunave me kapacitete të ndryshme financiare?
Kjo është veçanërisht e rëndësishme për komunat më të vogla, ku të hyrat nga ndërtimi mund të kenë peshë të konsiderueshme në financimin e projekteve lokale.
Nëse shteti vendos një politikë sociale kombëtare, duhet të tregojë edhe si do të kompensohen pushtetet lokale për humbjen e të hyrave.
Përndryshe, Qeveria mund të shpallë një lehtësi për qytetarët, ndërsa komunat të përballen me pasojat financiare të vendimit.
6. Pse të mos ndërhyhet në çmimet e tregut për të gjithë qytetarët?
Një tjetër pyetje është pse mbështetja kufizohet te çiftet e reja deri në 35 vjeç dhe jo te të gjithë qytetarët që nuk kanë mundësi të sigurojnë një banesë.
Problemi i banimit nuk është vetëm problem i të rinjve. Ka familje me fëmijë, prindër të vetëm, qytetarë me të ardhura të ulëta dhe persona që kanë kaluar moshën 35-vjeçare, por vazhdojnë të mos kenë pronë të tyre.
Pse një çift 36-vjeçar me të ardhura të ulëta nuk do të mund të përfitojë, ndërsa një çift 30-vjeçar me të ardhura të larta do të ketë të drejtë?
Kriteri i moshës mund të jetë një instrument për të ndihmuar të rinjtë, por nuk është domosdoshmërisht tregues i nevojës ekonomike.
Një politikë më gjithëpërfshirëse do të duhej të merrte parasysh edhe të ardhurat familjare, pronën ekzistuese, numrin e anëtarëve të familjes dhe aftësinë reale për të përballuar kredinë.
Në vend të një zbritjeje të njëjtë për të gjithë përfituesit, mund të krijohet një sistem progresiv: sa më të ulëta të ardhurat dhe sa më e madhe nevoja për banim, aq më e lartë mbështetja publike.
7. Çmimi referues: a është vërtet çmimi real i tregut?
Një tjetër pikë e rëndësishme është mënyra se si do të llogaritet çmimi nga i cili do të zbriten 20%.
Sipas sqarimit të Mickoskit, baza do të jetë çmimi mesatar i regjistruar në Kadastër gjatë vitit paraprak, për komunën përkatëse kadastrale.
Kryeministri ka përmendur edhe shembuj konkretë: në Gostivar, çmimi mesatar i regjistruar për metër katror ishte 635 euro, ndërsa pas zbritjes prej 20% do të arrinte në 508 euro. Në Tetovë, nga 785 euro do të zbriste në 627 euro.
Por këtu duhet të bëhet dallimi mes çmimit të regjistruar në kontratë dhe çmimit real të tregut për një banesë të caktuar.
Një mesatare për një komunë kadastrale nuk pasqyron domosdoshmërisht dallimet mes lokacioneve, cilësisë së ndërtimit, kateve, orientimit, infrastrukturës dhe standardit të objektit.
Një banesë në qendër të qytetit nuk ka domosdoshmërisht të njëjtën vlerë me një banesë në periferi. Për këtë arsye, nëse çmimi referues nuk llogaritet me metodologji të detajuar dhe transparente, mund të krijohen dallime mes çmimit të garantuar dhe vlerës reale të pronës.
Gjithashtu, duhet të sqarohet nëse çmimi mesatar do të llogaritet vetëm për objektet e reja, si do të trajtohen kontratat me kushte të veçanta dhe si do të parandalohet manipulimi i çmimit referues.
8. Rreziku i kufizimit të ofertës dhe i përqendrimit të tregut
Një detyrim i ri për investitorët mund të ndikojë edhe në vendimet e tyre për investime.
Nëse kompanitë vlerësojnë se detyrimi prej 10% të sipërfaqes me zbritje e bën një projekt më pak të leverdishëm, disa mund të shtyjnë ndërtimin, të zgjedhin lokacione të tjera ose të orientohen drejt projekteve më të vogla.
Kompanitë e mëdha mund ta kenë më të lehtë ta përballojnë një detyrim të tillë sesa investitorët e vegjël, të cilët kanë më pak kapital dhe më pak hapësirë për të absorbuar ndryshimet në të hyra.
Kjo ngre edhe një çështje të konkurrencës: a do të ndikojë masa në favor të kompanive të mëdha, duke e vështirësuar hyrjen e investitorëve më të vegjël në treg?
Këto nuk janë pasoja të sigurta, por janë rreziqe që duhet të analizohen përmes një vlerësimi të ndikimit ekonomik dhe konkurrues përpara miratimit të ligjit.
9. Mbështetja për të rinjtë nuk duhet të jetë vetëm një zbritje në letër
Nuk ka dyshim se sigurimi i një banese është një nga sfidat më të mëdha ekonomike për familjet e reja. Prandaj, ndërhyrja e shtetit në këtë fushë është legjitime dhe e nevojshme.
Por një politikë serioze e banimit nuk mund të mbështetet vetëm në një detyrim për sektorin privat.
Ajo duhet të përfshijë disa shtylla:
- Subvencione të drejtpërdrejta: Mbështetje për blerjen e banesës së parë, sipas të ardhurave familjare.
- Kredi të favorshme: Garanci shtetërore dhe subvencionim të një pjese të interesit.
- Lehtësime tatimore: Rimbursim i një pjese të TVSH-së dhe ulje të kostove fiskale për banesën e parë.
- Banesa publike: Ndërtim të banesave me çmime të kontrolluara në tokë shtetërore.
- Treg më transparent: Publikim të çmimeve reale, kontroll të kontratave dhe luftë kundër spekulimit.
- Mbështetje sipas nevojës: Përfshirje të familjeve me të ardhura të ulëta, jo vetëm të atyre që plotësojnë kriterin e moshës.
Një politikë e tillë do të krijonte një ekuilibër më të mirë mes interesit publik, të drejtave të qytetarëve dhe funksionimit të tregut privat.
Përfundim: Politika sociale nuk mund të ndërtohet vetëm me detyrime ndaj privatit
Dy ligjet e paralajmëruara nga Mickoski mund të krijojnë një mundësi reale për një pjesë të çifteve të reja. Por mbetet e hapur çështja se sa do të jetë ndikimi i tyre në tregun e përgjithshëm të banesave dhe kush do ta bartë koston përfundimtare.
Nëse ndërtuesit e përballojnë zbritjen nga marzhet e tyre, masa mund të funksionojë pa kosto të drejtpërdrejtë për buxhetin qendror. Nëse kostoja bartet te blerësit e tjerë, atëherë përfitimi i një grupi mund të shndërrohet në barrë për një grup tjetër. Nëse komunat humbin të hyra pa kompensim, barra mund të reflektohet në investimet dhe shërbimet lokale.
Prandaj, pyetja nuk është nëse të rinjtë duhet të ndihmohen. Ata duhet të kenë mbështetje konkrete. Pyetja është nëse kjo mbështetje është projektuar në mënyrën më të drejtë, transparente dhe të qëndrueshme.
Qeveria duhet të shpjegojë jo vetëm sa do të kursejnë çiftet e reja, por edhe kush do ta paguajë atë kursim.
Nëse shteti e konsideron banimin një çështje me interes publik, atëherë duhet të marrë përsipër edhe një pjesë të përgjegjësisë financiare. Përndryshe, rrezikon të shpallë një politikë sociale me kosto të kufizuar për buxhetin e vet, por me pasoja të mundshme për ndërtuesit, blerësit e tjerë dhe financat e komunave.
Dhe deri sa projektligjet të publikohen, me mekanizmat e financimit, kriteret e përfitimit dhe vlerësimin e ndikimit në treg, premtimi për banesa 20% më të lira mbetet një masë e shpallur politikisht, jo ende një zgjidhje e testuar ekonomikisht.















