BDI: Mickoski po shpik Kushtetuta dhe ligje inekzistente për të justifikuar përjashtimin e gjuhës shqipe
Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar ndaj deklaratave të kryeministrit Hristijan Mickoski lidhur me arsimin e lartë në gjuhën shqipe, duke i cilësuar ato si përpjekje për të vënë në pikëpyetje të drejtat e garantuara me Kushtetutë dhe ligj.
Në reagimin e saj, BDI e kundërshton pretendimin e Mickoskit se arsimi i lartë në gjuhën shqipe është një “implant”, duke theksuar se Kushtetuta në fuqi nuk përmban asnjë dispozitë që ndalon arsimin e lartë në gjuhën shqipe.
Sipas BDI-së, deklaratat e kryeministrit janë pjesë e një qasjeje përjashtuese që rrezikon të nxisë tensione ndëretnike dhe të krijojë pasiguri juridike në vend.
BDI rikujton edhe disa zhvillime të tjera që i konsideron si cenim të të drejtave të shqiptarëve, përfshirë shfuqizimin e Balancuesit, kontestimin e emërtimeve të rrugëve dhe shesheve në Tetovë, si dhe iniciativat për shfuqizimin e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve.
Partia opozitare kritikon gjithashtu Qeverinë për përjashtimin e diasporës nga përllogaritjet, duke pretenduar se kjo ka ndikuar në zvogëlimin e numrit të këshilltarëve komunalë në komunat me shumicë shqiptare.
Në reagim, BDI i bën thirrje Mickoskit të heqë dorë nga retorika përjashtuese dhe të respektojë Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi.
Në fund, BDI i drejtohet edhe koalicionit VLEN, duke kërkuar distancim publik nga politikat e Qeverisë dhe braktisjen e institucioneve qeveritare.
“Përndryshe, do të jetë bashkautor dhe bashkëfajtor në këto politika përjashtuese, nxitëse dhe degraduese”, thuhet në reagimin e BDI-së. Flaka















