Valbon Limani pret ushtruesen e detyrës së ambasadores amerikane, Nicole Varnes
Kryetari i Komunës së Gostivarit, Valbon Limani, ka pritur në takim ushtruesen e detyrës së ambasadores së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shkup, Nicole Varnes, me të cilën ka diskutuar për decentralizimin, fuqizimin e pushtetit lokal dhe mbështetjen e komunave përmes projekteve konkrete zhvillimore.
Pas takimit, Limani ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, veçanërisht në mbështetjen e institucioneve lokale dhe përmirësimin e shërbimeve për qytetarët.
“Kënaqësi e veçantë të mirëpres sot Shkëlqesinë e Saj, ushtruesen e detyrës së ambasadores së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shkup, znj. Nicole Varnes”, ka shkruar Limani.
Në kuadër të vizitës, Limani dhe ambasadorja Varnes kanë vizituar edhe Qendrën për trajtimin e fëmijëve me autizëm “Blue Puzzle”, ku diplomatja amerikane është njohur nga afër me aktivitetet, punën dhe përkushtimin e stafit të kësaj qendre.
Limani ka vlerësuar se projektet zhvillimore dhe mbështetja e pushtetit lokal kanë ndikim të drejtpërdrejtë në cilësinë e jetës së qytetarëve.
Ai gjithashtu ka theksuar se partneriteti me SHBA-në mbetet i një rëndësie të veçantë për vendin.
“Mbështetja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës mbetet një partneritet i çmuar dhe i pazëvendësueshëm për vendin tonë, në forcimin e institucioneve demokratike, avancimin e reformave dhe përshpejtimin e proceseve integruese”, ka theksuar Limani.
Flaka















