BDI: VLEN-i, në mungesë të rezultateve, po e shndërron propagandën dhe shpifjen në instrument politik
Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka akuzuar VLEN-in se, në mungesë të rezultateve konkrete në qeverisje, po përdor propagandën, dezinformatat dhe shpifjet si instrument të veprimit politik.
Në një reagim publik, BDI pretendon se portalet e afërta me VLEN-in kanë publikuar mbrëmë informacione të pavërteta lidhur me pagat e funksionarëve partiakë të BDI-së, me qëllim, siç thuhet, njollosjen e emrave të tyre dhe manipulimin e opinionit publik.
Sipas BDI-së, pas demanteve të menjëhershme dhe paralajmërimeve për përgjegjësi ligjore nga ana e funksionarëve të saj, portali që publikoi lajmin e ka tërhequr atë dhe ka kërkuar falje publike. Të njëjtën gjë, sipas partisë, e kanë bërë edhe portale të tjera, ndërsa disa eksponentë të VLEN-it kanë fshirë publikimet ku kishin shpërndarë lajmin.
„Ky zhvillim ngre pyetje serioze: kush i koordinon këto sulme, kush i furnizon portalet me informacione të pavërteta dhe kush merr përgjegjësi për dëmin që shkaktojnë shpifjet e tilla?“, thuhet në reagimin e BDI-së.
Partia vlerëson se VLEN-i, përballë mungesës së rezultateve konkrete dhe dështimeve të njëpasnjëshme në qeverisje, po e zhvendos betejën politike në terrenin e dezinformatave, shpifjeve dhe manipulimeve mediatike.
„Në vend të përgjegjësisë për premtimet e parealizuara, po ofron fushata diskreditimi ndaj kundërshtarëve politikë“, thekson BDI.
Nga kjo parti nënvizojnë se fshirja e lajmit dhe kërkimfalja publike nuk e zhbëjnë dëmin e shkaktuar dhe as nuk e përjashtojnë përgjegjësinë për publikimin dhe shpërndarjen e informacioneve që i cilësojnë si shpifje.
„BDI nuk do të lejojë që shpifjet të shndërrohen në instrument të politikës ditore. Çdo tentativë për njollosjen e funksionarëve të saj përmes informacioneve të fabrikuara do të marrë përgjigje publike dhe, kur është e nevojshme, edhe përmes rrugëve ligjore“, thuhet në reagim.
Në përfundim, BDI i ka dërguar një mesazh politik VLEN-it, duke theksuar: „Propaganda nuk është rezultat dhe shpifja nuk është politikë“, ndërsa e ka cilësuar veprimin politik të këtij subjekti si „mashtrim, shpifje dhe vetëm një zero“.
Flaka Media














