Bilanci tragjik në Venezuelë: Mbi 2.295 viktima pas një jave me tërmete shkatërruese
Një javë pas tërmeteve të fuqishme që goditën Venezuelën, bilanci i viktimave vazhdon të rritet. Kryetari i Asamblesë Kombëtare, Jorge Rodríguez, bëri të ditur se deri më tani kanë humbur jetën të paktën 2.295 persona, ndërsa 11.267 të tjerë janë plagosur.
Operacionet e kërkim-shpëtimit vazhdojnë në zonat më të prekura, ku janë angazhuar mbi 26 mijë pjesëtarë të shërbimeve emergjente dhe 17 mijë vullnetarë. Deri tani, ekipet kanë arritur të nxjerrin 6.461 persona të gjallë nga rrënojat, megjithëse shpresat për të gjetur të mbijetuar të tjerë po zbehen, pasi katastrofa po hyn në javën e dytë.
Dy tërmetet me magnitudë 7.2 dhe 7.5 ballë, që goditën vendin më 24 qershor, janë pasuar nga 782 lëkundje, ndërsa autoritetet paralajmërojnë se rreziku për një tjetër tërmet të fortë ende nuk ka kaluar plotësisht.
Ndërkohë, Organizata Shëndetësore Panamerikane ka ngritur alarmin për një krizë të mundshme shëndetësore. Sipas saj, qindra mijëra persona kanë nevojë urgjente për ndihmë mjekësore dhe organizata ka bërë thirrje për 24 milionë dollarë ndihmë ndërkombëtare për furnizimin me barna, vaksina dhe për stabilizimin e shërbimeve shëndetësore gjatë gjashtë muajve të ardhshëm.
Presidentja e përkohshme, Delsi Rodríguez, ka shpallur shtatë ditë zie kombëtare dhe ka shprehur ngushëllime për familjet e viktimave. Megjithatë, reagimi i autoriteteve është kritikuar nga shumë qytetarë, të cilët e konsiderojnë ndërhyrjen e qeverisë të vonuar dhe të pamjaftueshme për përmasat e katastrofës.
Flaka
















