Bllokohen edhe 104 faqe të lojërave të fatit online, numri arrin në 462
Ministria e Transformimit Digjital ka ndërmarrë një tjetër hap në drejtim të kufizimit të platformave ilegale të lojërave të fatit në internet, duke kërkuar bllokimin e 104 faqeve të reja që operojnë pa autorizim.
Urdhri i ri i është dorëzuar Agjencisë për Komunikime Elektronike (AKE), ndërsa me përfshirjen e këtyre platformave, numri i përgjithshëm i faqeve të internetit që janë përfshirë në procesin e bllokimit arrin në 462.
Sipas Ministrisë, ndërhyrja synon të parandalojë keqpërdorimin e të dhënave personale dhe financiare të qytetarëve, si dhe të mbrojë të miturit nga ekspozimi ndaj lojërave të fatit në internet.
AKE-ja ka pesë ditë afat që urdhrin t’ua përcjellë operatorëve të telekomunikacionit, të cilët më pas duhet të kufizojnë qasjen në faqet e listuara.
Ministria u ka bërë thirrje qytetarëve që të tregojnë kujdes gjatë përdorimit të platformave online dhe të mos ndajnë të dhënat personale apo financiare në faqe të paverifikuara.
Me këtë urdhër, lista e platformave që synohet të bllokohen zgjerohet në 462, ndërsa mbetet të shihet se sa efektiv do të jetë ky mekanizëm në parandalimin e qasjes në tregun ilegal të lojërave të fatit online. Gazeta Flaka













