Goli i Messit thyen internetin, Google regjistron rekordin më të madh të kërkimeve në histori
Kupa e Botës po dëshmon ndikimin e saj global jo vetëm në stadiume, por edhe në botën digjitale. Google ka regjistruar nivelin më të lartë të kërkimeve në historinë e platformës së saj, pas emocioneve të krijuara nga një prej ndeshjeve më dramatike të turneut.
Sipas kompanisë, rekordi u arrit menjëherë pas golit të fitores së Argjentinës ndaj Egjiptit në fazën me eliminim direkt, një ndeshje që solli një përmbysje spektakolare.
Cristian Romero zhbllokoi rezultatin për Argjentinën, ndërsa Lionel Messi barazoi gjithçka në minutën e 83-të, përpara se kampionët të siguronin fitoren në minutat e fundit.
Drejtuesi i njësisë së Knowledge & Information në Google, Nick Fox, bëri të ditur se motori i kërkimit theu të gjitha rekordet e mëparshme të përdorimit pas momentit vendimtar të sfidës.
Edhe pse Google nuk publikoi numra konkretë, kompania konfirmoi se kërkimet për sekondë arritën nivelin më të lartë të regjistruar ndonjëherë në historinë e platformës.
Pas ndeshjes, kërkimi më i popullarizuar në nivel global ishte “Argentina vs Egypt”, ndërsa tifozët kërkuan gjithashtu informacione për Messin, golat e tij në Kupën e Botës dhe mundësinë nëse ky mund të jetë turneu i fundit botëror për yllin argjentinas.
Ky rekord vjen në një periudhë kur Google po përballet me ndryshimet e mëdha në mënyrën se si njerëzit kërkojnë informacion, për shkak të rritjes së përdorimit të inteligjencës artificiale dhe asistentëve digjitalë. Megjithatë, ngjarje globale si Kupa e Botës vazhdojnë të tregojnë fuqinë e jashtëzakonshme të kërkimit tradicional online.
Flaka
















