Google Pay sjell “Direct Checkout”, blerjet online bëhen më të shpejta
Google ka njoftuar një përditësim të rëndësishëm për shërbimin e saj të pagesave online, Google Pay, duke prezantuar funksionin e ri “Direct Checkout”, i cili synon ta bëjë më të shpejtë dhe më të thjeshtë procesin e blerjeve në internet.
Sipas kompanisë, funksioni i ri do t’u mundësojë përdoruesve të përdorin opsionet e pagesës të ruajtura në Google Wallet direkt në faqet e tregtarëve, pa pasur nevojë për ridrejtime apo hapa shtesë gjatë përfundimit të blerjes.
Aktualisht, Google Pay përdor në disa faqe një dritare pop-up për zgjedhjen e kartës dhe autorizimin e pagesës. Me “Direct Checkout”, ky proces do të integrohet më thellë në platformat e tregtarëve, duke ofruar një eksperiencë më të shpejtë dhe më të rrjedhshme për konsumatorët.
Google ka bërë të ditur se funksioni është tashmë i disponueshëm në disa tregje dhe do të zgjerohet gradualisht në vende të tjera gjatë muajve në vijim.
Në të njëjtën kohë, kompania ka ngritur alarmin për rritjen e mashtrimeve online që përdorin inteligjencën artificiale dhe teknologjinë deepfake. Sipas Google, mashtruesit po përdorin metoda gjithnjë e më të sofistikuara për të falsifikuar numra telefoni dhe për të imituar zërat e personave të njohur, duke krijuar thirrje që duken dhe tingëllojnë autentike.
Ekspertët e sigurisë kibernetike paralajmërojnë se zhvillimi i shpejtë i teknologjisë deepfake po e bën gjithnjë e më të vështirë dallimin mes përmbajtjes reale dhe asaj të manipuluar, duke rritur rrezikun e mashtrimeve financiare dhe vjedhjes së të dhënave personale.
Google u ka bërë thirrje përdoruesve të tregojnë kujdes të shtuar gjatë komunikimeve telefonike dhe transaksioneve online, veçanërisht kur kërkohen informacione të ndjeshme ose veprime urgjente.
Flaka
















