Instagram teston abonimin: “Story” anonime për përdoruesit me pagesë
Rrjeti social Instagram po teston një shërbim të ri me abonim, i cili synon të sjellë funksione ekskluzive për përdoruesit që paguajnë.
Një nga veçoritë më të përfolura është mundësia për të parë “Story-t” e përdoruesve të tjerë në mënyrë anonime, pa u shfaqur në listën e shikuesve.
Përveç kësaj, platforma po eksperimenton edhe me opsione të reja, si krijimi i një liste të zgjeruar audience përtej “Close Friends”, si dhe zgjatja e kohëzgjatjes së “Story-ve” për më shumë se 24 orë.
Sipas një zëdhënësi të Meta, qëllimi i këtyre testimeve është të kuptohet se cilat funksione përdoruesit do të vlerësonin më shumë në një paketë premium.
Testimet aktualisht po zhvillohen në disa vende si Meksika, Japonia dhe Filipinet, ndërsa çmimi i abonimit pritet të jetë relativisht i ulët, duke filluar nga 1 deri në 2 dollarë në muaj.
Kjo lëvizje vjen si pjesë e strategjisë së Meta-s për të zgjeruar burimet e të ardhurave përtej reklamave. Në këtë kuadër, kompania ka prezantuar më herët edhe shërbime si Meta Verified, si dhe versione pa reklama dhe abonime për përmbajtje ekskluzive nga krijuesit.
Flaka
















