Klekovski emëron tre drejtorë të rinj në klinikat universitare në Shkup – asnjëri shqiptar!
Ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski, sot priti drejtorët e sapoemëruar të tri institucioneve publike shëndetësore: Klinikës Universitare të Gastroenterohepatologjisë, Klinikës Universitare të Kirurgjisë Digjestive dhe Klinikës Universitare të Kirurgjisë Plastike dhe Rekonstruktive.
Në postin e drejtorit të Klinikës Universitare të Gastroenterohepatologjisë është emëruar prof. i jashtëzakonshëm, dr. Vladimir Andreevski, specialist i mjekësisë interne dhe subspecialist i gastroenterohepatologjisë. Ai është udhëheqës i repartit të endoskopisë në këtë klinikë dhe sekretar i përgjithshëm i Shoqatës Maqedonase për Gastroenterohepatologji. Është autor i mbi 120 punimeve të recensuara në revista vendore dhe ndërkombëtare, me ekspertizë në endoskopinë intervenuese dhe ERCP.
Për drejtor të Klinikës Universitare të Kirurgjisë Digjestive është emëruar asistenti, dr. Pançe Karagjozov, specialist i kirurgjisë digjestive. Ai ka kryer specializime profesionale në kirurgjinë laparoskopike në Vjenë dhe Stamboll, si dhe ka marrë pjesë aktive në kongrese ndërkombëtare në fushën e koloproktologjisë dhe kirurgjisë hepatobiliare.
Ndërkaq, në krye të Klinikës Universitare të Kirurgjisë Plastike dhe Rekonstruktive është emëruar asistenti, dr. Blagoj Srbov, specialist i kirurgjisë plastike dhe rekonstruktive, asistent në Katedrën e Kirurgjisë pranë Fakultetit të Mjekësisë në Shkup dhe njëri nga themeluesit e Asociacionit Maqedonas për Mikrokirurgji Rekonstruktive (MARM).
Ministri Klekovski i përgëzoi drejtorët e rinj dhe u dëshiroi punë të suksesshme, duke theksuar përgjegjësinë që pritet prej tyre në drejtimin e tri klinikave.
Sipas ministrit, prioritetet do të jenë funksionimi stabil dhe i parashikueshëm, futja e metodave dhe procedurave të reja, shkurtimi i listave të pritjes dhe rritja e besimit të pacientëve.
Më herët gjatë ditës, ministri Klekovski priti edhe drejtoreshat e deritanishme, prof. dr. Meri Trajkovska dhe prim. dr. Jasmina Gjorgjievska-Pavllovska, të cilave personalisht u shprehu mirënjohje për bashkëpunimin dhe rezultatet e arritura gjatë drejtimit të klinikave.
Falënderime pati edhe për drejtorin e deritanishëm të Klinikës së Kirurgjisë Digjestive, prof. dr. Ognen Kostovski.
Prof. dr. Kostovski dhe prim. dr. Gjorgjievska-Pavllovska, së bashku me ekipet e tyre, ishin në vijën e parë të përballjes me pasojat e tragjedisë në Koçan, ndërsa nën drejtimin e prof. dr. Trajkovskës, në Klinikën e Gastroenterohepatologjisë u futën katër metoda të reja të trajtimit.
Flaka Media














