Komuna e Manastirit nxjerr në shitje tokë shtetërore për ndërtimin e shtëpive – A do të ndjekin shembullin edhe komunat shqiptare?
Qytetarët dhe kompanitë e interesuara për blerjen e tokës për ndërtimin e shtëpive mund të aplikojnë në thirrjen publike të shpallur nga Komuna e Manastirit. Bëhet fjalë për tokë ndërtimore të pandërtuar, në pronësi shtetërore, e cila do të shitet përmes ankandit publik elektronik.
Sipas njoftimit të komunës, parcelat janë të destinuara për ndërtimin e objekteve me destinim A1 – banim në shtëpi individuale, në përputhje me dokumentacionin urbanistik në fuqi.
Të drejtë pjesëmarrjeje kanë personat fizikë dhe juridikë, vendas dhe të huaj, të cilët sipas legjislacionit mund të fitojnë pronësi mbi tokën ndërtimore në Maqedoninë e Veriut. Pjesëmarrësit duhet t’i plotësojnë kushtet e përcaktuara në shpallje dhe të dorëzojnë dokumentacionin e nevojshëm brenda afatit.
Afati i fundit për aplikim është 14 dhjetori 2026. Aplikimet pranohen vetëm në mënyrë elektronike, përmes sistemit informativ për menaxhimin e tokës ndërtimore në www.gradezno-zemjiste.mk.
Kushtet e pjesëmarrjes, dokumentacioni i nevojshëm dhe detajet e tjera mund të konsultohen në shpalljen e plotë publike të Komunës së Manastirit.
Nisma e Komunës së Manastirit rikthen në vëmendje çështjen e menaxhimit dhe vënies në dispozicion të tokës ndërtimore shtetërore për qytetarët. Mbetet të shihet nëse edhe komunat e drejtuara nga kryetarë shqiptarë do të ndërmarrin iniciativa të ngjashme, duke krijuar mundësi për qytetarët që dëshirojnë të sigurojnë tokë për ndërtimin e shtëpive.
Flaka Media














