Lajm pas lajmi -Sulmet e SHBA-së ndaj tre objekteve bërthamore në Iran.
Australia dhe Zelanda e Re bëjnë thirrje për diplomaci
Qeveria australiane duket se ofroi mbështetje të heshtur për veprimet e Trump, duke thënë se programi bërthamor dhe balistik i Iranit ka qenë një kërcënim për sigurinë ndërkombëtare.
Ajo tha se vëren deklaratën e Trump se tani është koha për paqe dhe shtoi: “Ne vazhdojmë të bëjmë thirrje për deeskalim, dialog dhe diplomaci”.
Ndërkohë, Ministri i Jashtëm i Zelandës së Re, Winston Peters, shprehu shqetësim për veprimin, por nuk i dënoi sulmet.
“Është kritike që të shmanget përshkallëzimi i mëtejshëm”, tha Peters.
“Zelanda e Re mbështet fuqimisht përpjekjet drejt diplomacisë. Ne i nxisim të gjitha palët të kthehen në bisedime. Diplomacia do të sjellë një zgjidhje më të qëndrueshme sesa veprimet e mëtejshme ushtarake”.
Organizata e Energjisë Atomike e Iranit dënon ‘indiferencën dhe bashkëfajësinë’ e IAEA-s
Organizata e Energjisë Atomike e Iranit (AEOI) dënon “sulmin e egër” të Amerikës në tre lokacione bërthamore iraniane.
Organizata gjithashtu kritikon Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA) për “indiferencë dhe madje bashkëfajësinë”.
AEOI i bëri thirrje komunitetit global të “dënojë sulmet dhe të mbështesë qëndrimin e ligjshëm të Iranit”.
Organizata thotë se “pavarësisht planeve dashakeqe të armiqve”, shkencëtarët dhe ekspertët do ta “mbajnë industrinë bërthamore të vendit në lëvizje”.
Organizata do të ndërmarrë hapat “e nevojshëm” që do të përfshijnë “veprime ligjore” pas sulmeve, thuhet në deklaratë.
Irani paralajmëron se sulmet amerikane ‘do të kenë pasoja të përhershme’
Diplomati më i lartë i Iranit paralajmëron se sulmet amerikane në vendet e tij bërthamore ‘do të kenë pasoja të përhershme’.
Ministri i Jashtëm Abbas Araghchi thotë gjithashtu në X se Teherani “rezervon të gjitha opsionet” për t’u hakmarrë. Ai është zyrtari i parë i rangut të lartë që komenton sulmet në Isfahan, Fordow dhe Natanz nga amerikanët.
“Ngjarjet e këtij mëngjesi janë të shëmtuara dhe do të kenë pasoja të përhershme”, shkruan Araghchi.
Ai shtoi: “Në përputhje me Kartën e OKB-së dhe dispozitat e saj që lejojnë një përgjigje legjitime në vetëmbrojtje, Irani rezervon të gjitha opsionet për të mbrojtur sovranitetin, interesin dhe popullin e tij.”
Guterres thotë se SHBA-të po kryejnë një përshkallëzim të rrezikshëm
Edhe OKB-ja ka reaguar ndaj sulmeve.
Duke i quajtur një “përshkallëzim të rrezikshëm”, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, António Guterres, thotë se tani ekziston një “rrezik në rritje që ky konflikt të dalë shpejt jashtë kontrollit – me pasoja katastrofike për civilët, rajonin dhe botën”.
Ai shton në postimin në X se “në këtë orë të rrezikshme, është thelbësore të shmanget një spirale kaosi”.
“Nuk ka zgjidhje ushtarake. E vetmja rrugë përpara është diplomacia. E vetmja shpresë është paqja”.
Trump e ka shkruar emrin me shkronja të arta në librat e historisë, thotë ministri i Jashtëm izraelit
Ministri i Punëve të Jashtme i Izraelit, Gideon Sa’ar, ka thënë se Presidenti amerikan Donald Trump e ka shkruar emrin e tij me shkronja të arta në librat e historisë.
Këtë, “falë vendimit të tij të guximshëm” për të kryer sulmet, sipas një postimi të tij në X.
Ai ka shtuar po ashtu se kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu udhëhoqi “lëvizjen historike”.
Moment vendimtar midis terrorit dhe shpresës, thotë presidenti izraelit
Presidenti izraelit Isaac Herzog ka falënderuar Presidentin amerikan Donald Trump për “hapin e tij të guximshëm, i cili i shërben sigurisë dhe mbrojtjes së të gjithë botës së lirë”.
“Në faqet e historisë njerëzore, ky është një moment kur parimet e lirisë, përgjegjësisë dhe sigurisë kanë triumfuar”, ka shkruar ai në X.
“Një moment vendimtar midis boshtit të terrorit dhe të keqes dhe boshtit të shpresës”.
Ministri i Mbrojtjes i Izraelit gjithashtu vlerëson Trump dhe Kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu për sulmet “historike” gjatë natës.
Israel Katz përgëzon presidentin amerikan për ndërmarrjen e veprimeve “me qëllim vazhdimin e operacionit izraelit” dhe sigurimin që Irani të mos ketë një armë bërthamore.
Ai thotë se aleanca e SHBA-ve dhe Izraelit është më e fortë se kurrë.
Çfarë dimë deri më tani – një përmbledhje e shkurtër
Nëse sapo na u bashkuat – mirë se vini në transmetimin tonë të drejtpërdrejtë. Ja një përmbledhje e shpejtë e zhvillimeve kryesore në orët e fundit:
-SHBA-të thonë se kanë kryer sulme në tre objekte bërthamore në Iran: Natanz, Isfahan dhe Fordow – ky i fundit besohet të jetë objektivi më i vështirë dhe më i çmuar.
-Në një fjalim televiziv drejtuar kombit, Trump e përshëndeti operacionin si një “sukses spektakolar ushtarak”, duke e paralajmëruar Teheranin të bëjë paqe shpejt ose të përballet me sulme “shumë më të mëdha”.
-SHBA-të thuhet se përdorën bomba të rënda shkatërruese bunkerësh të hedhura nga bombarduesit strategjikë të fshehtë B-2 dhe raketa lundrimi Tomahawk – detajet mund të njoftohen në një konferencë për shtyp të Pentagonit më vonë të dielën.
-Media shtetërore e Iranit pranon se një pjesë e vendndodhjes Fordo u “sulmua nga sulmet armike”, por po minimizon shkallën e dëmit.
-Teherani më parë paralajmëroi se do të synonte interesat amerikane në Lindjen e Mesme në hakmarrje për çdo sulm të SHBA-ve – deri më tani ka qëlluar raketa në Izrael, me shpërthime të dëgjuara mbi Jerusalem.
-Izraeli mirëpret përfshirjen e SHBA-ve, me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu që tha se “vendimi i guximshëm” do të “ndryshojë rrjedhën e historisë”.
-Në SHBA, pati një reagim të përzier nga ligjvënësit përafërsisht përgjatë vijave partiake – me republikanët që e përgëzojnë Trumpin dhe demokratët që paralajmërojnë se Amerika po tërhiqet në një tjetër luftë “pa fund”. Flala
















