LSDM: Mickoski e mbron Toshkovskin nga përgjegjësia për dështimet e MPB-së
Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë (LSDM) ka akuzuar kryeministrin Hristijan Mickoski se po e mbron ministrin e Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, nga përgjegjësia për dështimet në sistemin e sigurisë, duke pretenduar se ky i fundit shërben si mburojë për pushtetin.
Në një komunikatë të publikuar këtë mëngjes, LSDM-ja vlerëson se, ndërsa funksionarët e pushtetit mbrojnë njëri-tjetrin, pasojat i bartin qytetarët, duke përmendur rastet e vrasjeve, femicideve dhe dhunës ndaj grave.
„Edhe sa viktima nevojiten që Toshkovski të mbajë përgjegjësi?“, pyet LSDM-ja, duke kërkuar dorëheqjen e ministrit për, siç pretendon, dështimin në parandalimin e dhunës, mosveprimin e MPB-së dhe mbrojtjen e personave të përfshirë në aktivitete kriminale.
Partia opozitare thekson se pas rasteve të femicideve kanë ekzistuar denoncime të shumta të pazgjidhura dhe mosveprime institucionale.
Duke iu referuar rastit të fundit të dhunës ndaj Sarës në Ohër, LSDM-ja pretendon se institucionet nuk po garantojnë sigurinë e grave dhe se po përdoren për të mbrojtur pushtetin nga përgjegjësia.
Sipas LSDM-së, i dyshuari për dhunën është lënë në liri për shkak të lidhjeve familjare me funksionarë lokalë të VMRO-DPMNE-së, të afërt me Mickoskin.
„Po të mos ishte reagimi i shpejtë dhe i zemëruar i qytetarëve, i LSDM-së dhe i organizatave joqeveritare, do të shihnim skemën e vjetër të VMRO-së: viktima në spital dhe me frikë për jetën e saj, ndërsa dhunuesi në liri për shkak të lidhjeve me funksionarët lokalë të VMRO-së“, thuhet në komunikatë.
LSDM-ja kërkon zgjerimin e hetimit për rastin e Sarës, duke pretenduar se përgjegjësia nuk kufizohet vetëm te personi i dyshuar, por përfshin edhe prindërit e tij, të cilët, sipas partisë, kanë sugjeruar fshehjen e trupit dhe mbulimin e rastit, si dhe prokurorin që pretendohet se nuk ka vepruar siç duhet.
Partia kërkon dënime më të rrepta për të dyshuarin dhe për të gjithë personat që mund të kenë ndihmuar në fshehjen e veprës, të provave dhe pengimin e drejtësisë.
„Kërkojmë përgjegjësi për të gjitha lëshimet dhe sanksione për MPB-në, Prokurorinë dhe Gjykatën, si dhe përgjegjësi për të gjithë ata që kanë ushtruar ndikim te prokurorët, gjykatësit dhe funksionarët lokalë të VMRO-së“, përfundon reagimi i LSDM-së.
Pretendimet dhe akuzat e paraqitura në komunikatë janë qëndrime të partisë opozitare.
Flaka Media














