Malajzia vendos rregulla të reja online për mbrojtjen e fëmijëve nën 16 vjeç
Malajzia do të zbatojë nga 1 qershori masa të reja për mbrojtjen e fëmijëve në hapësirën digjitale, me synim reduktimin e ekspozimit ndaj përmbajtjeve të dëmshme në platformat online.
Sipas Komisionit të Komunikimeve dhe Multimedias në Malajzi, ofruesit e shërbimeve online do të jenë të detyruar të vendosin mekanizma mbrojtës që kufizojnë krijimin dhe përdorimin e llogarive nga përdoruesit nën moshën 16 vjeç.
Platformat do të duhet gjithashtu të forcojnë mënyrat e menaxhimit të përmbajtjes, duke ofruar kufizime sipas moshës për funksione me rrezik të lartë, si dhe mekanizma më efektivë raportimi dhe reagimi.
Masat përfshijnë gjithashtu verifikim më të fortë të reklamuesve dhe etiketim të përmbajtjeve të manipuluara kur është e nevojshme. Autoritetet kanë bërë të ditur se platformat do të kenë një periudhë tranzitore për zbatim, ndërsa detajet e saj ende nuk janë përcaktuar.
Në vitet e fundit, Malajzia ka rritur mbikëqyrjen ndaj rrjeteve sociale për shkak të rritjes së përmbajtjeve të dëmshme, përfshirë mashtrimet online, bullizmin kibernetik dhe përmbajtje që lidhen me çështje të ndjeshme sociale.
Qeveria po planifikon gjithashtu vendosjen e verifikimit të moshës për përdoruesit gjatë këtij viti, duke ndjekur trendin global për mbrojtjen e të miturve në internet.
Flaka
















