Meta prezanton përkthimin e mesazheve në WhatsApp për 3 miliardë përdorues
Kompania Meta Platforms ka prezantuar një veçori të re për aplikacionin e saj të mesazheve, WhatsApp, e cila do të lehtësojë komunikimin mes përdoruesve që flasin gjuhë të ndryshme. Funksioni i ri i përkthimit është i disponueshëm për më shumë se 3 miliardë përdorues aktivë të platformës në mbarë botën.
Në fazën fillestare, përkthimet do të jenë të mundshme në 6 gjuhë për Android dhe në 19 gjuhë për iPhone, ndërsa Meta ka paralajmëruar se lista e gjuhëve të mbështetura do të zgjerohet së shpejti.
Sipas njoftimit zyrtar të kompanisë, përkthimi kryhet drejtpërdrejt në pajisjen e përdoruesit, duke garantuar privatësinë e bisedave, pasi WhatsApp nuk ka akses në përmbajtjen e tyre.
Përdoruesit mund të përkthejnë një mesazh duke shtypur gjatë mbi të dhe duke zgjedhur opsionin “Përkthe”. Ky funksion është i vlefshëm si për bisedat personale, grupore, ashtu edhe për përditësimet nga kanalet.
Një veçori shtesë për përdoruesit e Android është mundësia për të aktivizuar përkthimin automatik të gjithë bisedës, duke bërë që mesazhet e ardhshme të përkthehen automatikisht pa pasur nevojë për veprim manual.
Ky hap shihet si një përmirësim i madh për WhatsApp, duke e bërë atë një platformë edhe më gjithëpërfshirëse dhe të aksesueshme për përdoruesit në mbarë botën.
Flaka
















