Microsoft sjell “Hey Copilot” në Windows 11 – PC që të dëgjon dhe të ndihmon
Microsoft ka zbuluar një seri përditësimesh të rëndësishme për Windows 11, duke integruar më thellë inteligjencën artificiale në përvojën e përdoruesit. Risia më e madhe është aktivizimi me zë i Copilot, i cili mund të thirret thjesht me komandën “Hey Copilot”, duke e bërë ndërveprimin me kompjuterin më të natyrshëm dhe më të shpejtë.
Një tjetër risi është Copilot Vision, një funksion që i lejon përdoruesit të bëjnë pyetje mbi atë që shfaqet në ekran, duke e kthyer PC-në në një mjet më interaktiv dhe inteligjent. Ky funksion do të jetë i disponueshëm në të gjitha tregjet ku Copilot operon.
Për përdoruesit e Windows Insiders, Microsoft ka sjellë Copilot Labs me funksione eksperimentale dhe Copilot Actions të zgjeruara, që tashmë mund të kryejnë veprime të kufizuara mbi skedarët lokalë, përveç atyre në ueb. Kjo do të thotë se përdoruesit mund të automatizojnë detyra të përditshme si prenotime, porosi ushqimesh apo menaxhim dokumentesh, drejtpërdrejt nga Copilot.
Yusuf Mehdi, zyrtari i lartë i Microsoft, e përshkroi këtë hap si një evolucion të ri në përdorimin e kompjuterëve: “Ne besojmë se jemi në prag të një epoke të re, ku AI nuk kufizohet vetëm te chatbot-et, por integrohet në miliona përvoja të përditshme”.
Ky përditësim e pozicionon Windows 11 si platformën më të avancuar për ndërveprim me AI, duke e bërë çdo PC një “AI PC” të vërtetë.
Flaka
















