Milan ëndërron transferimin e Van Dijk, holandezi mund të largohet FALAS nga Liverpooli
AC Milan po shqyrton mundësinë e transferimit të Virgil van Dijk, i cili mund të largohet nga Liverpooli si lojtar i lirë në verën e vitit 2027.
Sipas raportimeve të La Gazzetta dello Sport, mbrojtësi holandez është një emër shumë i pëlqyer nga pronari i Milanit, Gerry Cardinale, si dhe këshilltari i klubit, Zlatan Ibrahimović.
Kontrata e kapitenit të Liverpoolit skadon më 30 qershor 2027, ndërsa vetë futbollisti ka lënë të hapur mundësinë e largimit, nëse nuk arrihet marrëveshja për rinovim.
“Le të shohim çfarë do të sjellë sezoni. Nëse kontrata zgjatet, mirë, nëse jo, do të shkoj diku tjetër”, është shprehur Van Dijk lidhur me të ardhmen e tij.
Milan e sheh holandezin si një përforcim të madh për repartin defensiv, por operacioni nuk do të jetë i lehtë, duke marrë parasysh kërkesat financiare të lojtarit dhe interesimin nga klubet turke dhe ato të Arabisë Saudite.
Në rast se nuk rinovon me Liverpoolin, Van Dijk do të mund të negociojë me klubet e huaja nga janari i vitit 2027, përpara se të largohet potencialisht pa kosto transferimi në verë.
Flaka











