Në Shkup hapet klubi i parë në Maqedoni për personat me afazi „Shpresë“
Në Shkup është hapur klubi i parë në Maqedoni për personat që përballen me afazinë, i emërtuar „Shpresë“. Nisma është realizuar nga Shoqata për Ndihmë dhe Mbështetje të Personave me Afazi „HOPE“, në partneritet me Qendrën Publike Shëndetësore për Rehabilitimin e Patologjisë së Komunikimit Verbal – Shkup.
Nga organizata bëjnë të ditur se hapja e klubit është rezultat i një bashkëpunimi shumëvjeçar me institucionin shëndetësor dhe i një iniciative të përbashkët për krijimin e një hapësire mbështetëse për personat me afazi.
Klubi do të shërbejë si vend ku personat që kanë vështirësi në të folur, kryesisht pas një goditjeje në tru, do të mund të gjejnë mirëkuptim, pranim dhe mbështetje.
„Humbja e të folurit nuk do të thotë humbje e mendimeve, ndjenjave, personalitetit dhe nevojës për të qenë pjesë e shoqërisë“, theksojnë nga shoqata „HOPE“.
Realizimi i projektit është mundësuar edhe falë mbështetjes së sektorit civil dhe atij të biznesit.
Shoqata „KONEKT“ ka mbështetur fazën e parë të projektit, duke siguruar mjete financiare përmes Rrethit të saj të Donatorëve. Kompania „Elena Luka Home“, si kompani me përgjegjësi shoqërore, ka realizuar tërësisht renovimin e hapësirës, ndërsa kompania „Ciklama Engineering“ nga Gostivari ka kryer punimet ndërtimore të nevojshme për të mundësuar qasje më të lehtë dhe të papenguar për personat me afazi.
Nga „HOPE“ shprehin mirënjohje edhe për kompanitë e tjera që kanë kontribuar me donacione financiare dhe pajisje për funksionalizimin e klubit.
Qëllimi është që „Shpresa“ të shndërrohet në një hapësirë të sigurt ku personat me afazi mund të krijojnë miqësi të reja, të rifitojnë vetëbesimin dhe të ndihen pjesë aktive e shoqërisë.
„HOPE“ njofton se do të vazhdojë misionin e saj për të ofruar mbështetje dhe për të krijuar mundësi të reja për personat që jetojnë me afazi.
„Së bashku jemi më të fortë“, thuhet në mesazhin e organizatës.
Flaka Media














