Ngritje profesionale për 22 punonjëse në Spitalin e Gostivarit
Një ditë e veçantë për 22 të punësuar në Spitalin e Përgjithshëm të Gostivarit, të cilët zyrtarisht morën vendime të reja pune për ngritje profesionale, transmeton Flaka. Në një ceremoni të organizuar nga menaxhmenti i spitalit, drejtori Dr. Besnik Zeqiri dorëzoi vendimet për të gjithë ata që gjatë viteve të punës me arsim të mesëm (motra medicinale) kanë përfunduar studimet e larta për infermierë.
Në fjalën e tij, Dr. Zeqiri përgëzoi të pranishmit për kurajën, mundin dhe përkushtimin e treguar gjatë gjithë këtyre viteve, duke theksuar rëndësinë e përkrahjes së avancimit profesional të kuadrit shëndetësor.
“Jam i lumtur që, pavarësisht pengesave teknike dhe ligjore për sistematizimin dhe transformimin e vendeve të punës, ia dolëm. Sot e tutje, kontributi dhe arsimimi juaj i lartë është jo vetëm i njohur, por edhe i shpërblyer si në aspektin arsimor ashtu edhe financiar,” – tha drejtori Zeqiri.
Të pranishmit falënderuan menaxhmentin dhe posaçërisht drejtorin për vullnetin dhe përkushtimin që treguan në procesin e transformimit të vendeve të tyre të punës, duke e cilësuar këtë hap si motivues dhe nxitës për profesionalizëm më të madh. Flaka
















