Një ndërtesë u shemb në Turqi, ka njerëz të bllokuar nën rrënoja
Të paktën pesë persona kanë mbetur të bllokuar nën rrënojat kur sot u shemb një ndërtesë katërkatëshe në Turqi, njoftuan autoritetet turke.
Shkaku i shembjes së ndërtesës në qytetin Konya, rreth 260 kilometra në juglindje të kryeqytetit Ankara, ende nuk është i njohur, raportoi AP.
Dy persona janë nxjerrë nga rrënojat me lëndime, raportoi agjencia private e lajmeve DHA.
Guvernatori i Konya-s, Ibrahim Akın, tha se pesë anëtarë të një familjeje ka gjasa të jenë ende të bllokuar nën ndërtesë.
Ekipi i emergjencave, i dërguar në vendin e ngjarjes, po përdor pajisje speciale për dëgjim për të lokalizuar të mbijetuarit e mundshëm, shton DHA.
Para 21 vitesh, në Konya u shemb një ndërtesë banimi 12-katëshe, duke shkaktuar vdekjen e 92 personave dhe plagosjen e rreth 30 të tjerëve.
Mangësitë strukturore dhe neglizhenca u vunë faj për shembjen në atë kohë.
















