Një telefonatë i kushton postin kryeministres së Tajlandës
Një bisedë telefonike e publikuar në media i ka kushtuar përkohësisht postin kryeministres së Tajlandës, Paetongtarn Shinawatra.
Sipas “BBC”, Gjykata Kushtetuese e Tajlandës ka vendosur ta pezullojë nga detyra, ndërsa shqyrton nëse duhet të shkarkohet përfundimisht apo jo. Vendimi i gjykatës erdhi me shumicë votash 7-2.
Në bisedën që ka ngjallur debat publik, Shinawatra dëgjohet teksa e quan ish-liderin kamboxhian Hun Sen “xhaxha” dhe kritikon një komandant ushtarak tajlandez, gjë që ka shkaktuar reagime të forta dhe presion për dorëheqjen e saj.
Një peticion për shkarkimin e saj është dorëzuar në gjykatë, dhe tani ajo ka afat 15 ditë për të paraqitur mbrojtjen. Deri në një vendim përfundimtar, Shinawatra do të vazhdojë të mbajë postin e ministres së Kulturës, të cilin e mori gjatë një riorganizimi të fundit të kabinetit, vetëm disa orë para pezullimit.
Pezullimi i saj vjen në një moment të ndjeshëm politik, pasi koalicioni qeverisës që ajo drejton është dobësuar, pas largimit të një aleati kryesor konservator dy javë më parë.
Paetongtarn Shinawatra është përfaqësuesja e tretë e fuqishme e familjes Shinawatra që ka dominuar politikën tajlandeze në dy dekadat e fundit, dhe pezullimi i saj mund të jetë një goditje e rëndë për vazhdimësinë e kësaj trashëgimie politike.
Në një deklaratë publike para pezullimit, Shinawatra kërkoi falje për bisedën, duke e cilësuar telefonatën me Hun Sen si një përpjekje “më shumë se 100% për vendin”.
Flaka
















